Friday, March 29, 2024

Regjimi Iranian Pranon Dështimin në Censurimin e Internetit

Regjimi Iranian është përpjekur pa sukses ta censurojë përdorimin e internetit në Iran, pranoi të hënën Presidenti iranian Hassan Rouhani, pa e dënuar këtë praktikë e cila është një shkelje e qartë e të drejtave të popullit iranian.

Ai tha: “Kemi qenë të pasuksesshëm në disa nga përpjekjet tona [për të filtruar internetin] vitet e fundit. Mendonim se e kemi nën kontroll. Mendonim se do të filtrohej thjesht po të jepnim urdhrin…. Çfarë duhet të bëjmë me [rrjetet virtuale private (VPN)]?”

VPN-të i lejojnë përdoruesit e internetit ta anashkalojnë censurën dhe t’i shmangen mbikëqyrjes së veprimtarive të tyre duke e zhvendosur adresën e tyre IP në një shtet tjetër, kështu që ato janë shumë popullore në Iran ku interneti është shumë i kufizuar dhe shumë faqe të mediave të huaja e të rrjeteve sociale janë krejtësisht të bllokuara.

Rouhani nuk është i vetmi zyrtar iranian që ka zgjedhur të flasë kohët e fundit rreth përpjekjeve të Regjimit për ta paralizuar rrjedhën e lirë të informacionit përmes internetit.

Më 17 janar, Ahmad Khatami, përfaqësuesi i bordit të drejtuesve të Asemblesë së Ekspertëve, tha se gjatë seancës së tyre të fundit çdo anëtar kishte “qenë dakord se dëmet e shkaktuara nga hapësira kibernetike janë serioze”, ndërsa Asembleja e Ekspertëve nxori një deklaratë ku këshillonte që Regjimi të bënte të pamundurën për ta shtypur rezistencën e popullit iranian, të cilës mullahët i referohen si “armiku”.

Është e qartë se zyrtarët e Regjimit po recitojnë të njëjtat fjalë dhe se këto deklarata janë thjesht një përpjekje për të larguar vëmendjen nga rreziqet që vijnë nga armiku i vërtetë i popullit iranian: Regjimi. Pranimi i pamundësinë për të kontrolluar hapësirën kibernetike tregon se Regjimi po e pohon, të paktën në një farë mënyre, se e ka humbur luftën në këtë çështje, por fatkeqësisht, Regjimi nuk do t’i lërë me kaq përpjekjet për të censuruar e për të spiunuar mbi popullin iranian.