Qeveria gjermane sanksionoi kompaninë ajrore iraniane Mahan Air të hënën, që do të thotë se avionët e saj nuk do të mund të zbresin më në aeroportet gjermane, duke cituar si arsye përdorimin e kësaj kompanie nga Regjimi Iranian për të transportuar para dhe luftëtarë tek proksit terroristë në Lindjen e Mesme, si dhe për të mbështetur regjimin e Bashar Assadit në Siri.
Vendimi i Gjermanisë për të sanksionuar Mahan Air ndihmon në mbrojtjen e europianëve nga terrorizmi i regjimit iranian, u jep mbështetje popujve të Iranit e Sirisë, dhe i jep një goditje Regjimit Iranian dhe të gjithë proksive të tij terroristë e lakejve të tij në rajon.
Vendet e tjera që vazhdojnë ta lejojnë Mahan Air të operojë brenda kufijve të tyre i japin kësaj kompanie një legjitimitet të rremë dhe shpërfillin faktin se klienti më i madh i Mahan, Forca iraniane Qods, është përshkruar nga Bashkimi Europian si “vegla kryesore e politikës së jashtme të Teheranit për operacione speciale dhe për mbështetjen e terroristëve dhe militantëve islamikë jashtë vendit”.
Richard Grenell, Ambasadori amerikan në Gjermani, shkruan: “Shtetet e Bashkuara i mbështesin plotësisht udhëheqësit e Gjermanisë në këtë çështje, dhe u bëjnë thirrje kombeve të tjera që ta ndalojnë aksesin e Mahan Air në aeroportet e huaja. Shtetet e Bashkuara e sanksionuan Mahan Air në 2011-ën për faktin se ajo ka ofruar mbështetje financiare, materiale dhe teknologjike për [Qods]. Shpresojmë që BE të miratojë tashmë sanksionet e veta mbi Mahan Air… Përdorimi nga Irani i entiteteve tregtare si Mahan Air për të kryer akte terrori e dhune do të pengohet fuqishëm nga ky vendim i Gjermanisë. Kjo shpallje nga qeveria e Gjermanisë dërgon një mesazh të qartë: “Irani duhet t’i japë fund mbështetjes për terrorizmin dhe sjelljes destabilizuese në Lindjen e Mesme, Europë, e në botë.”
Në fund të fundit, nuk është se kërcënimi i terrorizmit të mbështetur nga regjimi iranian nuk e arrin Europën. Gjatë vitit të shkuar, ka patur të paktën pesë raste komplotesh terroriste e tentativash për vrasje të mbështetura nga Irani në shtetet anëtare të BE-së, të identifikuara nga qeveritë e atyre shteteve. Në fakt, Asadollah Assadi, operativ i inteligjencës iraniane dhe diplomat në Vienë, është arrestuar në Gjermani për rolin e tij në planin për të bombarduar një tubim të opozitës iraniane me bazë në Paris.