SHBA e ka rritur trysninë financiare ndaj regjimit të Iranit duke i vënë sanksione anti-terror kreut të bankës qendrore të Iranit, të cilat nuk lejojnë asnjë në botë të bëjë biznes me të.
Këto sanksione mbi guvernatorin e bankës Valiollah Seif, të shpallura të martën, u kanë dhënë një goditje të fortë liderëve europianë që po përpiqen ta shpëtojnë marrëveshjen bërthamore në vijim të tërheqjes së Donald Trump javën e shkuar.
Seif dhe Ali Tarzali, një zyrtar i lartë që punon në sektorin ndërkombëtar të bankës qendrore, u quajtën si “terroristë globalë të përcaktuar posaçërisht” nga departamenti i Thesarit, i cili i akuzoi ata për kanalizimin e miliona dollarëve për militantët terroristë të Hezbollah përmes një banke Irakene, Banka Islamike Al-Bilad.
Thesari ka thënë se Seif e ka dëmtuar besueshmërinë e bankës qendrore dhe se fondet janë përdorur për të “pasuruar dhe mbështetur agjendën e dhunshme dhe radikale të Hezbollah”.
Këto sanksione nuk i drejtohen teknikisht vetë bankës qendrore të Iranit, por ka mundësi që ato të ndihmojnë për ta izoluar Iranin nga sistemi financiar global, meqenëse Seif mbikëqyr vendimet financiare madhore në Iran dhe çdo transaksion që përdor firmën e tij mund të shkelë sanksionet. Kjo do të thotë që kompanitë dhe qeveritë ndërkombëtare nuk do të kenë guxim të punojnë me këtë bankë.