Mike Pompeo ka paralajmëruar regjimin e Iranit. Kjo në një kohë kur regjimi ndodhet në një rrugë qorre për shkak të protestave mbarëkombëtare në Iran dhe rrënimit ekonomik, si dhe pas kërcënimit për operacione terroriste kundër vendeve të rajonit.
Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Mike Pompeo, e ka paralajmëruar regjimin iranian se çdo sulm ndaj amerikanëve dhe aleatëve të tyre do të marrë një përgjigje “decizive”.
“Proksit e Iranit kanë kryer kohët e fundit disa sulme kundër bazave ku Forcat e Sigurisë Irakene ndodhen së bashku me anëtarë të personelit të SHBA-së e të Koalicionit Ndërkombëtar,” tha Sekretari Pompeo në një deklaratë për shtyp më 13 dhjetor 2019.
Më 9 dhjetor, proksit e regjimit iranian “kryen një sulm me raketë kundër një objekti iraken që ndodhet në kompleksin e Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit. Sulmi i 9 dhjetorit plagosi pesë ushtarë irakenë, dy prej të cilëve në mënyrë kritike. Ky sulm u ndoq nga një tjetër sulm me raketë mbi aeroportin më 11 dhjetor,” thotë deklarata.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngusht me partnerët tanë irakenë, duke përfshirë Forcat Irakene të Sigurisë, të cilat kanë luajtur një rol kyç në rimarrjen e sovranitetit të Irakut nga ISIS.”
“Duhet gjithashtu ta shfrytëzojmë këtë rast për t’u kujtuar liderëve të Iranit se çdo sulm nga ana e tyre, apo nga proksit e tyre të çfarëdo identiteti, që dëmton amerikanët, aleatët tanë, apo interesat tona, do të marrë një përgjigje deçizive nga SHBA,” tha Sekretari Pompeo.
“Irani duhet ta respektojë sovranitetin e fqinjëve të tij dhe ta ndalë menjëherë ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes letale për palët e treta në Irak e në mbarë rajonin.”