Saturday, July 27, 2024

Protestat në Iran – Mbi 1,500 të Vrarë në Kryengritjen Mbarëkombëtare të Popullit Iranian, Publikohen Emrat e 504 Martirëve

Foto të disa prej martirëve të protestave mbarëkombëtare të Iranit në nëntor 2019

Kryengrtija në iran – Nr. 55

Maryam Rajavi: Ky Krim Tronditës pa Dyshim Një nga Krimet më të Tmerrshme të Shekullit të 21-të,

Thirrje Këshillit të Sigurisë të OKB-së, BE-së: Aksion Urgjent për t’i Dhënë Fund Krimeve dhe Shtypjes; Të Arrestuarit Duhet të Lirohen; Dërgoni Mision të Gjetjes së Fakteve për të Vizituar Burgjet e Regjimit

Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) ka konfirmuar se mbi 1,500 protestues janë vrarë gjatë kryengritjes mbarëkombëtare të popullit iranian në provinca të ndryshme të vendit. Të paktën 400 janë vrarë në Teheran, 320 në Kermanshah, 270 në Fars, 240 në Khuzestan, 120 në Isfahan, dhe 100 në Alborz (Karaj).

PMOI ka publikuar gjithashtu 28 emra të tjerë të martirëve të kryengritjes, duke e çuar në 504 numrin e të vrarëve në 56 qytete.

Sipas dëshmitarëve okularë, qindra trupa janë dërguar në spitalin Namazi në Shiraz gjatë kryengritjes. Këta nuk janë përfshirë në numrin e vdekjeve dhe po hetohen.

Regjimi iranian hesht dhe përpiqet t’i fshehë faktet. Një muaj pas kryengrtijes mbarëkombëtare, regjimi klerikal, nga frika e pasojave të brendshme e ndërkombëtare të krimit të tij kundër njerëzimit, po bën të pamundurën për ta fshehur numrin e martirëve dhe emrat e tyre, si dhe numrin e të arrestuarve e të të burgosurve. Forcat shtypëse refuzojnë t’ua dorëzojnë familjeve trupat e të vrarëve. Shumë prej martirëve janë rrëmbyer nga spitalet apo rrugët dhe janë varrosur në vende të panjohura.

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ka thënë se regjimi vazhdon të refuzojë t’i dorëzojë trupat e martirëve dhe u kërkon paturpësisht familjeve që të paguajnë për plumbat me të cilët ua ka vrarë fëmijët. Ky krim tronditës është pa dyshim një nga krimet më të tmerrshme të shekullit të 21-të dhe përbën një rast të qartë krimesh kundër njerëzimit, vuri në dukje ajo, duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar duhet ta përjashtojë fashizmin fetar që sundon Iranin.

Znj. Rajavi i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurisë të OKB-së dhe Bashkimit Europian që të veprojnë urgjentisht për ta ndaluar shtypjen në Iran dhe krimin kundër njerëzimit, si dhe për të siguruar lirimin e të arrestuarve. Ajo i bëri thirrje sërish OKB-së që të krijojë një mision ndërkombëtar të gjetjes së fakteve për ta hetuar këtë krim madhor dhe për të vizituar burgjet e regjimit e të burgosurit.