Rusia Ka Refuzuar Kërkesën e Regjimit Iranian për Raketa S-400 Mes Tensioneve në Gjirin Persik – Bloomberg

517

Nga Shahriar Kia

Rusia ka refuzuar një kërkesë nga regjimi iranian për të blerë sisteme mbrojtëse me raketa S-400, nga shqetësimi se një shitje e tillë do ta shtonte tensionin në Lindjen e Mesme, sipas dy personave me njohuri për këtë çështje, duke përfshirë një zyrtar të lartë rus.

Kërkesa është refuzuar nga Presidenti Vladimir Putin, thanë dy personat për Bloomberg më 30 maj, me kusht që të mbeten anonim pasi nuk janë të autorizuar ta diskutojnë çështjen. Ministri i Jashtëm i regjimit iranian Mohammad Javad Zarif ka qenë në Moskë më 7 maj.

Rusia dhe regjimi i Iranit kanë patur lidhje të ngushta politike dhe ushtarake vitet e fundit, megjithëse ka patur shenja që Moska po kërkon ta reduktojë gradualisht ndikimin e Iranit në Lindjen e Mesme në përpjekje për t’i mbrojtur marrëdhëniet e saj me fuqi të tjera rajonale si Arabia Saudite dhe Izraeli, shkruan Bloomberg.

“Çdo forcim i vërtetë apo imagjinar i Iranit mund të çojë në përshkallëzim – nëse Rusia ia ka refuzuar vërtetë Iranit këtë kërkesë, do të thotë që Rusia dëshiron të vazhdojë të punojë për marrëdhëniet me Arabinë Saudite dhe Izraelin, si dhe të ketë një shans për negociata me Trump-in,” tha Ruslan Pukhov, kryetar i Qendrës për Analizimin e Strategjive dhe Teknologjive në Moskë. “Nëse Rusia vendos t’i ofrojë S-400 Iranit, do të jetë një sfidë direkte ndaj Arabisë Saudite dhe Izraelit, kështu që do të jetë kundër interesave kombëtare të vetë Rusisë.”