Sunday, September 8, 2024

Samiti i GCC-së: Thirrje për Front të Bashkuar Kundër Sjelljes Luftarake të Regjimit Iranian

Amir Taghati

Arabia Saudite po organizon aktualisht dy samite emergjence në qytetin e shenjtë të Mekës. Liderët arabë dhe të vendeve të Gjirit Persik i janë bashkuar mbretit saudit për të diskutuar çështje rajonale.

Mbreti saudit Salman u ka bërë thirrje liderëve në Gjirin Persik dhe në botën arabe që të bashkohen për ta dënuar sjelljen luftarake të regjimit iranian. Ai theksoi se aktet malinje të shkaktuara nga regjimi janë kërcënim, jo vetëm për ofertat e naftës dhe çështje të tjera praktike, por sidomos për sigurinë globale.

Këshilli i Bashkëpunimit i Gjirit Persik (GCC) mblidhet rregullisht dhe Irani është shpesh një nga shqetësimet kryesore që diskutohen. Shumë prej liderëve kanë ngritur shqetësime të mëdha lidhur me Iranin, veçanërisht gjatë viteve të fundit, dhe kanë diskutuar rreth masave që duhen marrë për ta kundërpeshuar ndikimin iranian në Lindjen e Mesme e më gjerë.

Pak javë më parë, një stacion saudit i pompimit të naftës u sabotua dhe pati sulme mbi disa anije-cisterna nafte në bregdetin e Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE). Irani e ka mohuar se qëndron prapa këtyre sulmeve, si dhe sulmit në Zonën e Gjelbër të Bagdatit në Irak, shumë pranë ambasadës amerikane. Mbreti Salman tha se duhet të ndërmerren “veprime serioze” për të “mbrojtur sigurinë dhe përfitimet” e vendeve arabe të pasura me energji.

Mbreti Salman tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë bashkë për t’u konfrontuar me Iranin. Arabia Saudite po merr drejtimin pas rritjes së tensioneve në rajon mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Mbreti saudit përsëriti gjithashtu se mbretëria nuk dëshiron të bëjë luftë dhe se mbizotëron preferenca për një zgjidhje paqësore.

Nën administratën Trump, Arabia Saudite i ka mbështetur shumë sanksionet dhe fushatën e presionit maksimal të SHBA-së.

Regjimi Iranian gjendet nën një presion të jashtëzakonshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe, për shkak të sanksioneve mbi naftën, e ka të pamundur t’i financojë grupet militante dhe proksi të tij, të cilat janë të shpërndara në të gjithë rajonin. Vetëm paaftësia për të financuar Hezbollahun libanez në të njëjtin nivel si në të shkuarën ka krijuar vështirësi për regjimin iranian. Ky është pikërisht qëllimi i Shteteve të Bashkuara.

Krijimi i një fronti të përbashkët në mbarë botën do ta pengojë edhe më shumë përpjekjen e regjimit iranian për t’u zgjeruar më tej në rajon.