Thursday, March 28, 2024

Masat e Regjimit Iranian Kundër MEK Tregojnë se Grupi Ka Mbështetje Popullore

Duke patur parasysh përshkallëzimin e tensioneve me regjimin iranian, etiketimin terrorist të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), dhe shtimin e protestave popullore brenda vendit, shumë njerëz pyesin: A ekziston një alternativë e arsyeshme ndaj mullahëve të Iranit?

Epo, vetë Regjimi Iranian na e jep përgjigjen, argumenton Ali Safavi i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) në një artikull për uebsitin Lima Charlie World.

Safavi shkruan:

Muajin e shkuar, edhe një herë, zyrtarët e lartë të regjimit iranian e theksuan publikisht rolin e opozitës kryesore Mujahedin-e Khalq (MEK) në organizimin e protestave popullore. Kjo vjen pas komenteve të autoritetit më të lartë të regjimit, liderit suprem Ali Khamenei, i cili vitin e shkuar e qortoi rëndë MEK-un për organizimin e kryengritjeve. Në janar 2018, presidenti i regjimit, Hassan Rouhani, i pati telefonuar madje Presidentit francez Emmanuel Macron për t’u ankuar lidhur me praninë e kësaj lëvizjeje në Paris.

Kur asnjë lider europian, duke përfshirë Presidentin Macron, nuk ua vuri veshin lutjeve të dëshpëruara të Rouhani-t, regjimi u përpoq madje të shpërthente një bombë në “Tubimin Free Iran – The Alternative” në Paris, si pjesë të një programi gjithnjë e më agresiv vrasjesh ndërkombëtare të kritikëve të tij.

Teherani i referohet rregullisht MEK-ut si “kërcënim ekzistencial” dhe simpatizantët e MEK e pësojnë me burg, torturë dhe vdekje me varje. Që nga viti 1979, regjimi iranian ka ekzekutuar jo më pak se 100,000 anëtarë e simpatizantë të MEK. Vetëm në 1988-ën, mullahët kryen atë që Amnesty International e ka quajtur “masakër burgjesh” duke ekzekutuar mbi 30,000 anëtarë e mbështetës të kësaj organizate për idetë e tyre demokratike. Tani, lufta për demokraci e liri në Iran ka hyrë në një fazë të re.

Një deklaratë e fundit në një eveniment të madh në Teheran e tregon qartë impaktin në rritje të MEK dhe rolin e tyre thelbësor në drejtimin e protestave masive brenda Iranit, duke shkaktuar kështu tërbimin e autoriteteve.

Mahmoud Alavi, Ministër i shërbimit të inteligjencës të regjimit, Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS), tha më 19 prill se “gjatë vitit të shkuar 116 ekipe të lidhura me MEK janë konfrontuar apo eliminuar.” Gjatë fjalimit të lutjeve të së premtes, i cili u transmetua nga televizioni shtetëror, ai përdori shprehje sensacionale për të mburrur kapacitetet e inteligjencës së regjimit kundër MEK. Ai deklaroi se arrestimi i 116 “ekipeve” të MEK (dhe jo individëve) në mbarë vendin ishte frymëzuar nga vetë lideri suprem Ali Khamenei.

Më 22 prill, Drejtori i Përgjithshëm i MOIS për provincën e Azerbaixhanit Lindor shpalli gjatë një interviste:

“Në vitin 1397 (viti i kalendarit iranian që fillon më 21 mars) veprimtaritë e MEK në provincë ishin shtuar dhe për 1398-ën atyre u janë dhënë misione zbulimi dhe mbledhjeje informatash për të realizuar agjendën e tyre brenda vendit. Vitin e shkuar, MEK shfrytëzoi problemet ekonomike dhe shoqërore për t’i zgjeruar veprimtaritë e veta. Rreth 60 individë të lidhur me këtë grup janë arrestuar dhe 50 të tjerë janë identifikuar e paralajmëruar.”

Më 20 maj, gjykata revolucionare në Teheran dënoi me vdekje një aktivist 34-vjeçar të MEK dhe tre të tjerë i dënoi me pesë vite burg për pjesëmarrje në protesta paqësore anti-regjim.

Si përgjigje ndaj komenteve të Alavi-t, MEK deklaroi se numri i arrestimeve të aktivistëve të saj vitin e shkuar është në fakt shumë më i lartë sesa shifrat e paraqitura nga Alavi. Grupi publikoi një raport të vogël të emrave dhe detajeve të 28 prej të arrestuarve, duke bërë thirrje për aksion urgjent ndërkombëtar për lirimin e tyre. Kjo listë flet qartë për statusin në rritje të kësaj lëvizjeje brenda Iranit. Më shumë se gjysma e të listuarve janë nën 35 vjeç. Mes tyre ka gra, dhe janë arrestuar në 13 qytete të ndryshme të Iranit, gjë që tregon shtrirjen e gjerë të MEK.

Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e koalicionit politik Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), pjesë e të cilit është edhe MEK, i ka bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të marrë masa të menjëhershme për të liruar të arrestuarit.

Regjimi iranian është i paralizuar nga kriza madhore dhe i tmerruar nga populli iranian , si armiku i tij i vërtetë. Ai nuk do që populli të jetë i organizuar, dhe pa dyshim që nuk do asgjë që t’i ngjasojë sado pak një alternative ndaj sundimit të tij autoritar. Kjo është arsyeja pse i është vënë prapa kujtdo që është i lidhur me MEK. E ka bërë edhe më përpara këtë gjë. Pas protestave të 2009-ës, regjimi vari disa mbështetës të MEK për ta shtypur mospajtimin dhe për t’i shkurajuar njerëzit që të mos simpatizoheshin me organizatën.

Regjimi dëshiron gjithashtu të hakmerret ndaj MEK sepse ky grup ka zbardhur shumë aspekte të programit klandestin të armëve bërthamore të regjimit, duke përfshirë zbulimin e kompleksit të pasurimit në Natanz si dhe kompleksit të ujit të rëndë në Arak në gusht 2002.

Për të justifikuar masakrimin e aktivistëve të MEK në Iran dhe komplotet terroriste kundër grupit, regjimi iranian pretendon në mënyrë të rreme se MEK ka qenë e përfshirë në terrorizëm. Megjithatë, një magjistrat investigativ francez konkludoi pas një hetimi tetë-vjeçar se operacionet ushtarake të MEK, të cilat u ndalën unilateralisht në vitin 2001, nuk ishin terrorizëm, por rezistencë kundër tiranisë.

Tani, MEK e ka zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme thellësinë dhe shtrirjen e veprimtarive të saj brenda vendit përmes “Njësive të Rebelimit” – ekipe të vogla iranianësh të rëndomtë të organizuar për të udhëhequr protestat, për të shkruar slogane anti-regjim dhe për të prishur simbolet e forcave shtypëse të regjimit. Kjo përfshin zyrat e IRGC-së dhe paraushtarakëve Bassij të cilat janë të përhapura në mbarë vendin.

Komentet e Alavi-t bien në kontradiktë me fjalët e apologjetëve të regjimit rreth “mungesës së mbështetjes popullore” për lëvizjen brenda Iranit. Kreu i shërbimit të inteligjencës të regjimit mburret për shkallën “epike” të arrestimeve të anëtarëve të MEK. MEK e ka provuar se është e vetmja opozitë demokratike e aftë për t’i ngritur iranianët kundër regjimit, me anë të një strukture të shkëlqyer organizacionale dhe një rrjeti popullor brenda vendit.

Bota duhet t’i njohë aspiratat demokratike të popullit iranian për ta ndryshuar regjimin. E vetmja zgjidhje për krizën e Iranit është e natyrës rrënjësore dhe indigjene. Prandaj, komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë masa të menjëhershme për të liruar të burgosurit e shtypur nga forcat terroriste të IRGC dhe MOIS. Etiketimi i MOIS si Organizatë e Huaj Terroriste është një hap tjetër i rëndësishëm që duhet ndërmarrë. Le t’i dërgojmë një tjetër mesazh të fortë Teheranit se terrorizmi i tij nuk do të tolerohet më.