Nga Sedighe Shahrokhi
Regjimi Iranian humbi një nga aleatët e tij më të ngushtë të enjten më 11 prill, ndërsa ushtria e Sudanit mori pushtetin në vend pas disa muajve demonstratash e protestash dhe arrestoi Omar al-Bashir-in.
Ministri i Mbrojtjes i Sudanit, Awad Ibn Ouf, shpalli se ushtria do ta mbajë pushtetin për dy vite, mbylli hapësirën ajrore dhe kufijtë e Sudanit, dhe bëri thirrje për përfundimin e protestave. Ndërsa zyrtarët e sigurisë thanë se të gjithë të burgosurit politikë janë liruar.
Ndërkohë që zyrtarët e regjimit iranian kanë heshtur lidhur me arrestimin e Bashir-it dhe protestat, tani për tani, shumë persona në shtypin shtetëror të Iranit po e përshkruajnë këtë si një “grusht”. Aktivistët, nga ana tjetër, po e presin me padurim ditën kur kjo të ndodhë në Iran.
Një aktivist iranian postoi në Twitter se shpresonte që një lajm i ngjashëm do të publikohej së shpejti për Iranin, ndërsa një përdorues pa emër i Twitter-it vuri në dukje se udhëheqësi i regjimit, Ali Khamenei, është tashmë një nga tiranët që kanë sunduar më gjatë.
Marrëdhëniet Iran-Sudan
Bashir, i cili është dënuar për krime kundër njerëzimit në gjykata ndërkombëtare, ka qenë një aleat i patundur i regjimit iranian dhe Khamenei-t, ashtu siç ishin edhe ata për të. Kjo gjë është bërë e dukshme në trajtimin që Regjimi i ka bërë Bashir-it në rastet kur ai ka vizituar Iranin, por edhe në reagimin ndaj dënimit të tij në 2008-ën.
Në vijim të këtij dënimi, Kryetari i Parlamentit të regjimit iranian, Ali Larijani, vizitoi Sudanin dhe i tha Bashir-it se “Republika Islamike e mbështeste me gjithë zemër” atë, ndërsa Ministri i Jashtëm i atëhershëm i regjimit iranian, Manouchehr Mottaki, shprehu mbështetjen zyrtare të Regjimit për Bashir-in dhe qeverinë e tij.
Në vitet 1990, u raportua se Sudani dhe Irani po bashkëpunonin ushtarakisht sepse regjimi iranian kishte financuar armë për Sudanin dhe kishte dërguar Gardën Revolucionare (IRGC) për të mbështetur ushtrinë sudaneze. Në këmbim, Sudani i ofroi objekte detare regjimit iranian.
Megjithatë, pas luftës me Sudanin Jugor, e cila përfundoi në vitin 2011 me pavarësinë e tij, Sudani mbeti shumë më i varfër, pasi kishte humbur pasurinë e naftës për shkak se puset janë në Sudanin Jugor.
Regjimi iranian, i varfër financiarisht për shkak të sanksioneve dhe luftës në Siri ku po mbështeste diktaturën e Assad-it, nuk mundi ta ndihmonte. Atëherë Bashir iu drejtua armikut më të madh rajonal të Iranit, Arabisë Saudite, në 2015-ën, i përjashtoi të gjitha entitetet e regjimit iranian nga vendi i tij, dhe iu bashkua fushatës saudite në Jemen kundër rebelëve Houthi që mbështeten nga Irani. (Siç raportohet, ai besonte gjithashtu se kjo do ta bënte Gjykatën Ndërkombëtare të Krimit t’ia hiqte akuzat e gjenocidit që ishin bërë kundrejt tij.)
Një gazetar shkroi se “shpresat e Bashir-it për të marrë petrodollarë” ishin thyer tashmë, ndërsa një tjetër tha se kishte qenë Irani që e kishte braktisur Bashir-in, e jo anasjelltas.
Politika e jashtme shkatërrimtare e regjimit iranian
Ky është vetëm një shembull se si politika e huaj e regjimit iranian është destabilizuese dhe luftarake pasi ai miqësohet me diktatorë, siç ka bërë në Siri, Venezuelë, Sudan, dhe në Libinë e Muammar Qaddafi-t, gjë që e çon Regjimin në konflikt me Perëndimin.
Sigurisht, politika e jashtme e regjimit iranian është problem edhe për shkak se po përpiqet ta eksportojë revolucionin malinj të tij në mbarë Lindjen e Mesme dhe kërkon gjithashtu të ndërtojë armë bërthamore.