Iran- Një drejtor i Kooperativës së Dasht-e Azadegan për Bujqësinë dhe Burimet Natyrore – një organizatë shtetërore përgjegjëse për menaxhimin e tokës bujqësore – ka thënë se autoritetet iraniane kanë treguar vetëm paaftësi dhe pakujdesi gjatë përmbytjeve.
Ai tha: “Kemi këmbëngulur që kënetat e kanalet e ujërave duhej të pastroheshin dhe se në rastin e një përmbytjeje, qytete e fshatra do të zhyteshin nën ujë. Askush nuk na dëgjoi.”
Protestat
Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iraniane tha: “Kanë kaluar dy javë që kur nisën përmbytjet dhe situata në Iran mbetet shumë kritike. Mosveprimi i regjimit të mullahëve përballë përmasave të kësaj fatkeqësie kombëtare e ka zemëruar shumë popullsinë.”
Pas përmbytjeve të para, banorët filluan ta shprehnin zemërimin e tyre kundër Regjimit për faktin se nuk i ka mbrojtur njerëzit dhe nuk ka shpërndarë ndihma. Kjo bëri që autoritetet të dërgonin forcat represive.
Në provincën Lorestan, autoritetet dërguan 1,000 oficerë të policisë kundër rebelimit në qytetin e shkatërruar Pol-e Dokhtar të mërkurën e të enjten. Zëvendës shefi i policisë provinciale pranoi madje se “siguria” e regjimit kishte prioritet ndaj sigurisë së popullit.
Gjeneral Ayub Soleimani tha: “Kemi sjellë disa brigada nga provincat fqinje si përforcime dhe kemi vendosur patrulla të lëvizshme e pika kontrolli në të gjithë qytetin për të ruajtur sigurinë.”
Një banor i Pol-e Dokhtar shpjegoi: “Ata nuk kanë asnjë rol në ndihmat e emergjencës që ka kërkuar qyteti, por janë atje vetëm për të shtypur çdo protestë të mundshme.”
Fuqia e popullit
Duke u ndodhur përballë mosveprimit të Regjimit, iranianët kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, duke përdorur barka peshkimi për të shpëtuar fqinjët, duke vënë thasë me rërë për të krijuar barriera ndaj ujërsave të përmbytjes, dhe duke qortuar zyrtarët e Regjimit për mungesën e mbështetjes.
Rajavi u bëri thirrje iranianëve që të ndihmojnë njëri-tjetrin e të formojnë këshille popullore për të përballuar përmbytjet, gjë që e ka tmerruar Regjimin dhe ia ka shtuar ankthin se mos ia heqin pushtetin. Ajo tha se burimet e ushtrisë dhe të qeverisë duhet t’i vihen në dispozicion popullsisë.
Ajo i bëri thirrje gjithashtu komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë presion mbi regjimin në mënyrë që ai të pranojë ndihmat nga jashtë.