Rritja e përdorimit të droneve nga regjimi iranian dhe aleatët e tij për survejim e sulme në Lindjen e Mesme ka ngritur alarmin në Uashington, raportoi Reuters të mërkurën.
Shtetet e Bashkuara besojnë se militantët e lidhur me Iranin në Irak e kanë rritur kohët e fundit survejimin mbi trupat dhe bazat amerikane në vend duke përdorur dronë të gatshëm komercialisht, kanë thënë zyrtarët amerikanë për Reuters.
Ky zbulim vjen në një kohë tensionesh të mëdha me regjimin e Iranit dhe thekson mënyrat e shumta në të cilat Teherani dhe forcat që ai mbështet po përdorin gjithnjë e më shumë mjete ajrore pa pilot (UAV) në vende si Jemeni, Siria, Ngushtica e Hormuzit dhe Iraku.
Përveç survejimit, dronët e regjimit iranian mund të hedhin municione dhe të kryejnë madje edhe “një fluturim kamikaz ku e ngarkojnë me eksplozivë dhe e dërgojnë të fluturojë drejt diçkaje”, sipas një zyrtari amerikan që ka folur me kusht anonimati.
Houthi-t e mbështetur nga Irani në Jemen i kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme sulmet e tyre me UAV muajt e fundit, duke hedhur bomba mbi aeroporte e objekte nafte në Arabinë Saudite.
Muajin e fundit, regjimi iranian qëlloi me raketë një dron amerikan mbi ujëra ndërkombëtare, një lëvizje që pothuajse shkaktoi një sulm shpagues nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Presidenti Trump u tërhoq vitin e kaluar nga një marrëveshje e rëndësishme bërthamore e 2015-ës, imponoi sanksione për t’i ndërprerë eksportet e naftës regjimit Iranian dhe i bëri presion regjimit që të negociojë për programin e raketave balistike dhe politikën rajonale.
Rritja e përdorimit të droneve nga regjimi iranian apo aleatët e tij rajonalë, është një strategji që ka për qëllim rezistencën dhe mbrojtjen ndaj presionit të SHBA-së dhe armiqve si Arabia Saudite dhe Izraeli, sipas analistëve dhe zyrtarëve aktualë e të mëparshëm të sigurisë.
Regjimi iranian tani lëshon dy ose tre drone cdo ditë mbi ujërat e Gjirit Persik, tha zyrtari i parë amerikan, duke e bërë pjesë thelbësore të përpjekjeve të Teheranit monitorimin e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e konsumit botëror të naftës.
Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite kanë akuzuar regjimin iranian për sulme kundër gjashtë anijeve-çisternë me naftë afër ngushticës në dy muajt e kaluar.
Zyrtarët e SHBA-së, të cilët folën me kusht anonimitetin, nuk pranuan të cilësonin nivelin e rritjes së survejimit afër forcave amerikane në Irak apo të specifikonin se cilët militantë po e kryenin këtë survejim.
“Kemi parë një rritje në veprimtaritë me dronë në Irak pranë bazave dhe objekteve tona,” tha zyrtari i parë. “Sigurisht, dronët që kemi parë janë më shumë të variantit komerçal të gatshëm. Pra është e qartë që ata janë një veprimtari UAV e tipit të mohueshëm në Irak.”
Një zyrtar tjetër tha se rritja e survejimit së fundmi është shqetësuese por pranoi se militantët e lidhur me Iranin në Irak kanë një histori të gjatë të mbikëqyrjes së amerikanëve.
Reuters ka raportuar më përpara se Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar në mënyrë indirekte regjimin iranian, duke thënë se çdo sulm kundër forcave amerikane nga organizatat proksi në Irak do të shihet nga Uashingtoni si një sulm nga vetë Teherani.
Javët e fundit, janë hedhur mortaja e raketa drejt bazave në Irak ku ndodhen forcat amerikane por nuk është lënduar ndonjë anëtar i trupave amerikane. Zyrtarët amerikanë nuk i kanë lidhur këto sulme me rritjen e survejimit.
Grupet militante irakene të lidhura me regjimin iranian nisën të përdornin dronë në vitet 2014 dhe 2015, sipas anëtarëve të këtyre grupeve dhe zyrtarëve irakenë të sigurisë.
Këto grupe janë trajnuar mbi përdorimin e dronëve nga anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit iranian dhe të Hezbolluahut libanez që mbështetet nga Irani, sipas dy zyrtarëve irakenë të sigurisë që kanë njohuri mbi veprimtaritë e militantëve.
“Grupet kryesore militante kanë aftësinë të kryejnë sulme ajrore duke përdorur drone. A do t’i marrin në shënjestër interesat amerikane? Kjo nuk ka ndodhur ende,” tha një zyrtar iraken i sigurisë. “Ata kanë përdorur [raketa] Katyusha dhe mortaja në sulme shumë të kufizuara kundër interesave amerikane në Irak më shumë për të përçuar një mesazh sesa për të shkaktuar dëme. Përdorimi i dronëve të ngarkuar me eksplozivë është shumë i mundshëm kur të përkeqësohet situata mes Teheranit dhe Uashingtonit.”
Në mars, regjimi i mullahëve u krenua për një ushtrim kompleks ushtarak që përfshinte 50 dronë. Në një video të modifikuar bukur të transmetuar në televizionin shtetëror iranian, valë dronësh mbulojnë qiellin e kaltër, duke bombarduar ndërtesat e një ishulli në Gjirin Persik.
Kjo shfaqje force kishte për qëllim të vinte në dukje programin UAV të zhvilluar brenda Iranit, me të cilin ka disa që po merret.
Regjimi iranian ja ka përçuar dronët dhe ekspertizën teknike aleatëve rajonalë, sipas analistëve dhe zyrtarëve aktualë e të mëparshëm të sigurisë.
IRGC dhe Hezbollah i japin udhëzime Houthi-ve mbi përdorimin e dronëve dhe komunikojnë me video nga Teherani dhe Beiruti për të transmetuar ekspertizë teknike kur nevojitet, ka thënë për Reuters një zyrtar nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite që lufton në Jemen.
Ekspertët e OKB-së thonë se Houthi-t kanë tani dronë që mund të hedhin bomba edhe më të mëdha në distanca më të mëdha dhe me më saktësi se më parë. Në maj, dy stacione të pompimit të naftës, qindra kilometra brenda territorit saudit, u goditën nga dronë.
“Ose dronët që sulmuan naftësjellësit janë lëshuar nga brenda territorit saudit, ose Houthi-t e kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme aftësinë e tyre me teknologji satelitore dhe kanë fituar aftësinë ta zgjasin distancën,” tha Brett Velicovich, një ekspert dronësh dhe veteran i Ushtrisë Amerikane, rreth sulmit të majit.
Një komandant i Kataib Hezbollah, i cili është një grup militant iraken i lidhur ngushtë me Iranin, duke përdorur nofkën Abu Abdullah, pati thënë për Reuters në vitin 2014 se regjimi Iranian i kishte trajnuar mbi përdorimin e dronëve.
Në atë kohë ai tha se i kishin përdorur dronët edhe për të kryer survejim mbi pozicionet ushtarake amerikane ne Irak dhe në konfliktin e Sirisë, ku Kataib Hezbollah luftonte në mbështetje të diktatorit sirian Bashar al-Assad.
Grupet militante Irakene kanë fituar tashmë mjaftueshëm njohuri për të modifikuar dronet për sulme, thanë dy zyrtarë irakenë të sigurisë që kanë njohuri mbi aktivitetet e militantëve.