Express e Britanisë ka raportuar mbi përurimin e ‘Ashraf 3,’ shtëpisë së re të mijëra anëtarëve të grupit kryesor opozitar të Iranit, Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (Mujahedin e Khalq, MEK ose PMOI), në Shqipëri.
Në një raport të dielën, më 14 korrik 2019, Express shkroi: “Shëtitoret e këndshme, të rrethuara me pemë e flamurë iranianë të para-revolucionit, përvijojnë shtëpi e zyra moderne dhe japin pamjen e një lloj enklave të parapëlqyer nga emigrantët e pasur. Por kordoni i papërshkueshëm i sigurisë sinjalizon faktin që kjo zonë, me sipërfaqe dy milje katror, është vend pune: dhe puna është zëvendësimi i teokracisë së Iranit me një qeveri laike, demokratike dhe të orientuar nga Perëndimi. NCRI krenohet që tani me 1,000 njësi rezistence brenda kufijve të Iranit, të cilat ndihmojnë për t’i organizuar në mënyrë të efektshme protestat që kanë marrë dhenë në mbarë vendin teksa iranianët shprehin zhgënjimin e tyre nga ky regjim shtypës.”
Raporti thotë se Ashraf 3, siç quhet qyteti në kujtim të vendit të parë të mërgimit në Irak të Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, po e intensifikon përpjekjen.
Qendra kryesore e konferencave, me shtylla romake dhe emblema para-para-revolucionare si luani i artë, përmban një muzeum të bërë me shpenzime të mëdha, i cili i kushtohet 120,000 anëtarëve të torturuar e të vrarë në Iran që kur ky vend u bë Republikë Islamike në vitin 1981 – 30,000 vetëm në 1988-ën, shkruan The Express.
Artikulli shton: Me foto gjigante dhe shfaqje në ekrane me prekje, nuk është kursyer asnjë shpenzim për t’ia kujtuar këtij grupi, dhe mbështetësve ndërkombëtarë, pse vazhdojnë të luftojnë. Në konferencën e tij të parë këtu, grupi tregoi se sa i sofistikuar është operacioni i tij me një seri videosh me cilësi hollivudiane të prodhuara në zyrat qendrore në Paris.
Express.co.uk shkruan:
Njëra paraqiste një adoleshent banues në Europë që lexonte lajme të faqeve të para ku shpallej ekzekutimi i sulmuesit të Juventusit, Cristiano Ronaldo – një referencë e qartë ndaj ekzekutimit të kapitenit të skuadrës kombëtare iraniane të futbollit Habib Khabir, i cili është torturuar dhe vrarë nga një skuadër pushkatimi në vitin 1984 për anëtarësinë e tij në PMOI – Steven Spielberg i dënuar me vdekje për opinionet e tij politike dhe Serena Ëilliams e ekzekutuar për mbështetjen ndaj një fondacioni bamirësie për lirinë.
Një tjetër tregonte të rinj iranianë që mbështesnin PMOI-në duke e vënë veten në rrezik për arrestim, torturë dhe vdekje duke vizatuar mesazhe me thirrjen: “Gati, Gati, Gati” për një regjim të ri.
Dhe Teherani është i shqetësuar. Në mars, shërbimet shqiptare të sigurisë parandaluan një komplot me bombë këtu – jehonë e tentativës së viti të shkuar për të hedhur në erë konferencën e Parisit. Komploti i marsit çoi në përjashtimin e ambasadorit të Iranit dhe një diplomati tjetër nga Shqipëria.
Në Francë, ku ndodhen zyrtarisht zyrat qendrore të NCRI-së, Presidenti Macron vitin e shkuar refuzoi një kërkesë nga Presidenti iranian Hassan Rouhani për ta përjashtuar grupin; ironike pasi ka qenë Parisi që e pati strehuar liderin shpirtëror të regjimit, Ajatollah Ruhollah Khomeini, pasi Shahu e dëboi nga Irani.
Përpara syve të personaliteteve nga dhjetë vende të botës, të mbijetuarit rrëfyen se si ishin torturuar në burgjet brutale të Iranit, shpesh të populluara në dhjetë-fishin e kapacitetit të tyre, ndërsa gratë treguan se si ishin detyruar të kujdeseshin për foshnja të hedhura mes shoqeve të qelisë pas ekzekutimit të prindërve të tyre.
“Erdhën në mesnatë për të më arrestuar, Isha nëntë muajshe shtatëzënë por më rrahën,” tha një e mbijetuar femër.
“Në burg më detyronin të shihja se si e torturonin bashkëshortin tim, dhe pastaj e detyronin atë të më shihte mua. Kur e varën, roja e burgut më tha se nuk donin që ai të jetonte aq sa të shihte fëmijën e vet.”
Pas lindjes e kishin kthyer në burg së bashku me fëmijën e porsalindur.
“Nuk kishte qumësht për foshnjën time kështu që shoqet e qelisë më jepnin racionet e tyre të sheqerit – dy kuba,” tha ajo.
“Na lejoheshin vetëm 15 minuta ujë të ngrohtë çdo dhjetë ditë për bebet tona. Duhej të lanim 50 fëmijë në një kohë shumë të shkurtër.”
Ajo u arratis pasi djali i saj u sëmur rëndë dhe iu lejua më në fund të kërkonte kujdesin e një spitali.
Në konferencë morën pjesë personalitete nga më shumë se dhjetë vende, dhe folësit përfshinin këshilltarin e Trump-it Rudy Giuliani, Senatorin Joseph Lieberman, ish-Kryeministrin kanadez Stephen Harper, ish-ministren franceze të brendshme dhe të mbrojtjes Michelle Alliot-Marie dhe një delegacion nga Britania të kryesuar nga Dr. Matthew Offord MP.
Rudy Giuliani, i cili ka 11 vite që mbështet NCRI-në, tha: “Mendoj se regjimi i Iranit përbëhet nga vrasës gjakftohtë. Me shumë mundësi nuk ka asnjë regjim tjetër me të cilin kemi të bëjmë sot, qoftë Rusia apo Korea e Veriut, që ka vrarë kaq shumë nga populli i vet sa ç’ka vrarë Irani.
“Një milion njerëz nga populli i vet. Kanë vrarë aq shumë njerëz saqë edhe nëse kanë patur ndonjëherë një ndërgjegje, tani është zhdukur.”
Dr. Offord tha përpara delegacionit prej 1,000 vetësh: “Delegacioni britanik është këtu për t’ia kujtuar qeverisë sonë detyrimet tona sipas ligjeve ndërkombëtare të të drejtave njerëzore. Unë besoj se duhet ta ndjekim shembullin e SHBA-së dhe ta etiketojmë Korpusin e Gardës Republikane Iraniane si organizatë terroriste.
“Ata kanë një ndikim malinj në mbarë Lindjen e Mesme dhe po e kërcënojnë tani qeverinë britanike në mënyrë direkte me sulme mbi cisternat tona të naftës.
“Nën dritën e veprimeve armiqësore të kryera së fundmi nga Irani, dhe të realitetit se pakti bërthamor është i vdekur, duhet të tërhiqemi nga ai dhe ta mbështesim SHBA-në duke vënë sanksione.
“Këto sanksione po funksionojnë, dhe kemi parë protesta të paprecedent brenda Iranit teksa njerëzit e rëndomtë të shtypur nga regjimi ngrihen kundër tij.
“Ekziston një oreks i madh për ndryshim regjimi përmes mjeteve paqësore nga iranianët dhe plani me dhjetë pika i NCRI-së – i cili kërkon liri laike, barazi, sundimin e ligjit dhe respek për të drejtat e njeriut – tregon se do të ndihmojë në themelimin e një qeverie të re e të suksesshme kur të vijë koha.”
Ai shtoi: “Dua ta shoh gjithashtu regjimin të mbajë përgjegjësi për masakrën e 30,000 anëtarëve të opozitës në 1988-ën në Iran, shumica prej të cilëve janë torturuar para se të vareshin.”
Në një fjalim plot pasion, Senatori Lieberman tha: “Bashkëshortja ime është fëmijë i të mbijetuarve të holokaustit nazist, dhe ajo e sheh jehonën e tij në atë çfarë po ndodh në Iran.
“Kur të mbijetuarit thanë ‘kurrë më’ ata nënkuptuan që kurrë më nuk do të lejohet një regjim, si ai që sundon Iranin, të kryejë mizori të tilla.”
Duke iu drejtuar direkt NCRI-së, ai shtoi: “Ju na keni dhënë mundësinë t’u qëndrojmë besnikë parimeve tona kombëtare. Deklarata jonë e Pavarësisë thotë që çdo person është i krijuar i barabartë, i pajisur nga Krijuesi i tij me disa të Drejta të patjetërsueshme, mes të cilave janë Jeta, Liria dhe ndjekja e Lumturisë.
“Këto të drejta i janë dhënë gjithashtu çdo fëmije të lindur në Iran, dhe çdo të riu që i është prerë shkurt jeta nga ky regjim brutal.”
Mbrëmjen e djeshme, presidentja e zgjedhur e NCRI-së Maryam Rajani tha: “E nisëm këtë rrugëtim më 20 qershor 1981 kur lideri i Rezistencës Iraniane Massoud Rajavi krijoi një rezistencë të vendosur e me rrënjë të forta kundër diktaturës fetare të mullahëve.
“Tani, Ashraf 3 qëndron krenar në këtë rrugëtim të gjatë, i cili ka patur shumë fillime të reja e rigjallërime gjatë kësaj kohe. Në këtë rrugë, ne duruam me vullnet dhjetë vite të ngjyera në gjak në Kampin rrethuar Ashraf dhe katër vite të tjera plot vendosmëri në një thertore të quajtur Kampi Liberty (në Irak).
“Kjo shënon një kapitull të ri në një marshim të madh drejt lirisë, drejt një Irani të lirë, drejt një destinacioni të lavdishëm, sigurisht pas një vuajtjeje jashtëzakonisht të madhe dhe një lumi të rrëmbyer plot gjak martirësh.”