Shkruar nga Shahriar Kia
Vetëm Rusia dhe Kina ia kalojnë regjimit iranian si kërcënimi më i madh ndaj sigurisë së Britanisë nga një aktor shtetëror mes figurave të larta në MI5 dhe MI6, sipas Express të Britanisë.
Me kapjen e cisternës së naftës me flamur britanik Stena Impero në Gjirin Persik, janë intensifikuar frikërat se qelizave terroriste të financuara nga Teherani nëpër Europë mund t’u jepet drita jeshile, shkroi Express të hënën.
Daily Telegraph raportoi se këto qeliza janë të lidhura me Hezbollahun libanez i cili është aktiv në Luftën Civile të Sirisë.
Është raportuar se policia kundër-terrorizmit ka prishur një qelizë në 2015-ën, e cila po grumbullonte disa ton eksplozivë.
Burimet besojnë se kjo qelizë ishte e përgatitur për të shkaktuar “dëme të mëdha” me “terrorizëm të organizuar mirë”.
Nëj burim i inteligjencës tha: “Irani përdor proksi dhe ata kanë nën kontroll një rrjet individësh të lidhur me Hezbollah.
“Irani i mban operativët e Hezbollahut në pozicion për të kryer një sulm terrorist në rast konflikti. Kjo është natyra e kërcënimit që Irani paraqet për Mbretërinë e Bashkuar.”
Regjimi iranian është fajësuar për sulme kibernetike në Britani, njëri mbi Anëtarët e Parlamentit në 2017-ën dhe një tjetër mbi email-et e Zyrës Postare, qeverive lokale dhe sektorit privat në fund të vitit të shkuar.
Departamenti britanik i Transportit ka deklaruar se Stena Impero ishte në ujërat e Omanit në kohën kur u kap para se t’i ndryshohej drejtimi nga Garda Revolucionare (IRGC) e regjimit iranian, dhe ka paraqitur grafikë për ta vërtetuar këtë gjë.
Qeveria britanike e ka përshkruar këtë incident, i cili është një përgjigje ndaj kapjes së anijes me flamur panamez Grace I në Gjibraltar, si “të paligjshëm” dhe ka shkruar në një letër drejtuar Këshillit të Sigurisë të OKB-së: “Tensionet aktuale janë jashtëzakonisht shqetësuese, dhe prioriteti ynë është ta ulim këtë përshkallëzim. Nuk kërkojmë konfrontim me Iranin. Por është i papranueshëm dhe tepër përshkallëzues fakti i kërcënimit të anijeve që merren me punët e tyre legjitime përmes korridoreve të njohura ndërkombëtarisht të tranzitit.”
Udhëheqësja e opozitës iraniane Maryam Rajavi tha të shtunën: “Veprimet e papërmbajtura të mullahëve në Gjirin Persik për shantazh kanë nevojë për një përgjigje të rreptë nga komuniteti ndërkombëtar. Ata nuk duhet të lejohen të trimërohen. Forca & rreptësia janë gjuha që ata kuptojnë më mirë. Nuk duhet t’u jepet shansi për shantazhe të mëtejshme.”
Ministri saudit i Punëve të Jashtme Adel Aljubeir postoi në Twitter mbrëmjen e djeshme: “Irani duhet ta kuptojë që aktet e tij të kapjes së anijeve, duke përfshirë atë më të fundit të anijes britanike, janë krejtësisht të papranueshme. Komuniteti botëror duhet të marrë masa për ta parandaluar një sjellje të tillë.”
Kryeministrja britanike Theresa May do të kryesojë një mbledhje urgjente COBRA në orën 10.30 në mëngjesin e së hënës në përgjigje të kësaj krize.