Pompeo Thotë ‘Nuk Ka Shenja’ se Regjimi Iranian po e Ndryshon ‘Sjelljen e Tij Malinje’

458

 

Shkruar nga Mohammad Sadat Khansari 

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të shtunën se nuk ka “asnjë shenjë” se regjimi i Iranit është i gatshëm për ta ndryshuar “sjelljen e tij malinje” teksa regjimi vazhdon të veprojë në mënyrë agresive në skenën botërore.

“Në fund, iranianët, regjimi, duhet të marrë vendimin se dëshiron të sillet si vend normal,” u tha reporterëve Sekretari Pompeo gjatë një konference për shtyp me presidentin ekuadorian Lenín Moreno. “Dhe nëse e bëjnë këtë, jemi të përgatitur të negociojmë lidhur me një spektër të gjerë çështjesh pa asnjë parakusht dhe shpresoj që ta bëjnë këtë.”

Sekretari Pompeo shtoi se SHBA është përpjekur ta ulë përshkallëzimin e situatës dhe të krijojë hapësirën për negociata, por shtoi se “nuk kemi parë asnjë shenjë që Iranianët janë të përgatitur ta ndryshojnë me themel drejtimin e vendit të tyre, të bëjnë gjërat që u kemi kërkuar lidhur me programin e tyre bërthamor, programin e raketave, dhe sjelljen e tyre malinje në mbarë botën,” raporton Fox News.

Komentet e Sekretarit të Shtetit erdhën një ditë pasi regjimi iranian kapi një cisternë nafte me flamur britanik në Ngushticën e Hormuzit. Zyrtarë të lartë të regjimit iranian kanë thënë se kapja e Stena Impero si dhe ndalimi i shkurtër i një anijeje tjetër me flamur britanik janë një masë “reciproke” për kapjen më 4 korrik të një cisterne iraniane nga Marinat Mbretërore Britanike pranë Gjibraltarit.

Kjo gjë bie në kontradiktë me mesazhin e dhënë nga agjensia shtetërore e lajmeve e regjimit IRNA, e cila tha se anija britanike ishte kapur sepse kishte përplasur një barkë peshkimi iraniane.

Sekretari i Jashtëm britanik Jeremy Hunt tha të shtunën se kishte folur me Ministrin e Jashtëm të mullahëve, Javad Zarif, dhe “është e qartë nga biseda me të si dhe nga deklaratat e bëra nga Irani që ata e shohin këtë gjë si një situatë hakmarrëse … Kjo nuk ka se si të jetë më larg së vërtetës.”