Friday, October 4, 2024

Propozimet për Buxhetin e Regjimit Iranian Janë Tregues për një Ekonomi të Falimentuar

Ndërsa sanksionet amerikane vazhdojnë të thumbojnë, buxheti i propozuar shtetëror i regjimit iranian për vitin e ardhshëm tregon një rënie prej 3.7 përqind në të ardhura në rial, e cila, si zakonisht, tregohet më e ulët se ç’është.

Projektligji i buxhetit — i propozuar nga presidenti i regjimit Rouhani të martën, por i pamiratuar ende nga parlamenti i regjimit — llogarit 2,086tn rialë në të ardhura për vitin e ardhshëm fiskal iranian — më poshtë nga parashikimi prej 2,161tn rialë për mesin e marsit kur viti financiar të mbarojë.

“Ky buxhet është projektuar bazuar në impaktin e sanksioneve ndërkohë që ekonomia do të bjerë me siguri vitin e ardhshëm,” ka thënë një analist ekonomie. “Qeveria jo vetëm që i ka marrë në konsideratë sanksionet aktuale, por po përgatitet për sanksione të tjera më të rënda.”

Në projektligjin e buxhetit, regjimi parashikon fitime prej 1,535tn nga taksat dhe shitje të naftës, gazit dhe elektricitetit prej 1,426tn rialësh, por mungesa e prodhimtarisë ekonomike pritet të godasë të ardhurat nga taksat, ndërsa rënia në çmimet globale të naftës ka shumë mundësi ta shtojë trysninë.

Ekonomia e Iranit ka pësuar lëkundje që kur presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga pakti bërthamor i 2015-ës në maj dhe rivendosi sanksionet, duke përfshirë kufizime në shitjet e naftës — të cilat janë litari i shpëtimit për këtë vend.

Riali, monedha kombëtare, është zhvlerësuar me mbi 50 përqind këtë vit ndërsa çmimet e ushqimeve janë rritur me rreth 60 përqind, sipas Bankës Qendrore të Iranit.

Buxheti total arrin në 4,786tn rialë ($113.9 bilion sipas kursit zyrtar përkundrejt dollarit amerikan dhe $43.5 bilion bazuar në kursin e tregut të hapur) për vitin e ardhshëm iranian. Kjo shifër përfshin të ardhurat nga sektorë përmbushja e të cilëve është në dyshim, si privatizimi i disa kompanive shtetërore. Parashikohet një defiçit prej 1,120tn rialësh por analistët besojnë se kjo shifër mund të shkojë shumë më lart.

Regjimi iranian ngul këmbë në politikat e tij të huaja e të mbrojtjes të cilat eksportojnë terrorizmin dhe ekstremizmin, si dhe në ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve fqinje pavarësisht rritjes së pakënaqësisë ndaj kostove të larta të jetesës dhe ekonomisë së falimentuar.

Çmimi i ushqimeve bazë pothuajse është dyfishuar javët e fundit, duke ndezur kështu zemërimin publik për faktin se regjimi ka shumë pak kontroll mbi çmimet, dhe duke çuar në organizimin e protestave nga punëtorët e fabrikave, të punësuarit e pensionistët, dhe nga pothuajse të gjitha sferat e shoqërisë iraniane. Tendenca e përgjithshme tregon për një perspektivë të zymtë për diktaturën e sëmurë fetare në një të ardhme të afërt.