Trump dënon Regjimin Iranian në OKB: ‘Nuk mund ta lejojmë sponsorin më të madh të terrorizmit në botë që të zotërojë armët më të rrezikshme në botë’
Të martën, Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi ashpër regjimin iranian gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ditën e parë të mbledhjes së lartë ndërkombëtare në New York. Më poshtë vijon teksti i plotë i fjalës së tij për Iranin:
Një çështje tjetër është diktatura e korruptuar e Iranit. Ata shkaktojnë kaos, vdekje e shkatërrim, nuk respektojnë kufijtë e fqinjëve dhe të drejtat e sovranitetit të kombeve. Ata plaçkitin burimet e kombeve për të pasuruar veten dhe për të përhapur ligësi në mbarë rajonin. Udhëheqësit e tyre kanë grabitur miliona dollarë nga thesaret iraniane, kanë dërguar proksit e tyre për të bërë luftëra, kështu nuk bën! Agjenda e tyre rajonale përmban agresion dhe zgjerim. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz më kanë mbështetur në vendimin për t’u tërhequr nga pakti bërthamor i 2015-ës dhe në rivendosjen e sanksioneve bërthamore. Ai pakt ishte një fitore për udhëheqësit e Iranit, buxheti i tyre ushtarak u rrit me 40 përqind që kur u arrit marrëveshja, rritën represionin e brendshëm, financuan terrorizmin, në Siri dhe Jemen. SHBA ka nisur një fushatë trysnie ekonomike mbi Iranin në mënyrë që t’ia mohojë regjimit fondet që i duhen për të ecur përpara në agjendën e tij gjakatare.
Kemi filluar të imponojmë sanksionet e hequra pas paktit, më 6 nëntor do të ketë edhe më shumë sanksione, më vonë madje do të shtohen. Duam që vendet të cilat importojnë naftë iraniane krudo, ta ndërpresin këtë gjë.
Nuk mund ta lejojmë një regjim që thërret ‘vdekje Amerikës’ dhe kërcënon të asgjësojë Izraelin të lëshojë një armë bërthamore. Nuk mund ta bëjmë dot këtë. Kërkojmë ta izolojmë regjimin për sa kohë që ky agresion vazhdon. Duhet t’i mbështesim njerëzit në rimarrjen e fatit të tyre fetar.