Thursday, March 28, 2024

Rezistenca Iraniane i kërkon Europës të ushtrojë trysni ndaj Regjimit Iranian

 

Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i ka bërë thirrje Europës që t’i ndërpresë lidhjet e saj financiare me Regjimin Iranian, në mënyrë që rritja e trysnisë mbi Regjimin Iranian të sjellë rënien e mullahëve.

Thirrja e saj erdhi gjatë një transmetimi me video në Samitin e Kryengritjes së Iranit të  2018-ës, të mbajtur në New York të shtunën, ku mbi 1,700 mbështetës të NCRI dhe të Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) u mblodhën për të dëgjuar rreth kryengritjes iraniane dhe se si duhet punuar drejt një republike iraniane të re e demokratike.

Gjatë fjalimit të saj, Rajavi tha  se veprimet e dëshpëruara të Regjimit në muajt e fundit, duke përfshirë tentativat për sulme terroriste ndaj anëtarëve të Rezistencës në Europë, kanë qenë për mullahët një mënyrë për të testuar qeveritë perëndimore.

Ajo tha: “Me kryerjen e këtyre krimeve, mullahët po testojnë qeveritë perëndimore. Në rrethana të tilla, mungesa e vendosmërisë apo një qëndrim pasiv nga qeveritë perëndimore do t’i intensifikojë aktet terroriste të regjimit.”

Ajo iu lut qeverive perëndimore që të mbyllin ambasadat iraniane, të cilat janë përdorur nga mullahët për të organizuar atentatin me bombë mbi Tubimin Free Iran 2018 në Paris në qershor, dhe nxiti Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara që të adresojë “shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut nga Irani, sidomos torturimin e masakrimin e të burgosurve politikë, si dhe eksportin e terrorizmit dhe luftënxitjen në rajonin e Lindjes së Mesme”.

Ajo tha se sanksionet kundër Iranit janë dëshira e vetë popullit iranian, pasi një gjë e tillë do të ndihmojë në rrëzimin e këtij regjimi.