Wednesday, September 11, 2024

Bolton: SHBA do të qëndrojë në Siri derisa të ikë Irani

 Këshilltari Amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, ka thënë se ushtria amerikane do të qëndrojë në Siri derisa të largohen prej andej trupat e mbështetura nga Irani, të cilat përkrahin diktatorin sirian Bashar Assad.

SHBA ka patur për qëllim të largohej pas mposhtjes së ISIS në këtë vend dhe Siria e ka quajtur “të jashtëligjshme” praninë e vazhdueshme amerikane, dhe është betuar ta detyrojë SHBA-në të largohet. Megjithatë, politika amerikane ka ndryshuar dhe ndërhyrja e Regjimit Iranian në vende të tjera nuk do të tolerohet më. Vlen gjithashtu të përmendet se as ushtria siriane, as ajo iraniane nuk ka mundur ta mposhtë SHBA-në.

Jashtë seancës së Asemblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York të hënën, Bolton tha : “Nuk do të largohemi për sa kohë që trupat iraniane të jenë jashtë kufijve iranianë, dhe kjo përfshin proksit dhe militantët iranianë.”

Sulmet e Iranit në Lindjen e Mesme

Më pas ai fajësoi Regjimin Iranian për “sulmet në Siri dhe Liban” dhe tha që ky regjim është “përgjegjës për sulmin ndaj avionit rus” javën e shkuar.

Moska në fillim kishte fajësuar Izraelin për këtë sulm, duke vënë në dukje se mbrojtja ajrore siriane po përpiqej të shënjestronte avionët izraelitë F-16 gjatë sulmeve ajrore franceze e izraelite në zonën Latakia të Sirisë veri-perëndimore, dhe kishte premtuar se do t’i shiste Sirisë raketa të avancuara.

Megjithatë, Izraeli fajësoi Sirinë dhe militantët Hezbollah të mbështetur nga Irani për atë që e quajti si një “incident fatkeq”, duke cituar se avionët ushtarakë izraelitë kishin qenë brenda hapësirës ajrore izraelite në kohën kur ndodhi incidenti.