Thursday, March 28, 2024

Pompeo: Soleimani i Regjimit Iranian Është Terrorist

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo deklaroi se komandanti i Forcës iraniane Quds, Gjeneral Majori Qassem Soleimani është një terrorist dhe duhet të shihet me të njëjtin sy si lideri i ISIS, Abu Bakr Al Baghdadi, dhe ekstremistë të tjerë.

Ai tha: “Ai është terrorist. Qassem Soleimani ka në duart e tij gjakun e amerikanëve, ashtu si edhe forcat që ai komandon. Amerika është e përkushtuar që, sa herë që gjejmë një organizatë, institucion apo individ që u ka marrë jetën njerëzve, është përgjegjësia jonë ta reduktojmë atë rrezik.”

Pompeo theksoi provat se Garda Revolucionare e regjimit iranian (IRGC) është përgjegjëse për vdekjen e 608 ushtarëve amerikanë në Irak nga viti 2003 në vitin 2011, për shkak të bombave që ajo u ka siguruar militantëve Shiite.

Të hënën, SHBA e etiketoi IRGC-në, një krah i rëndësishëm i së cilës është Forca Quds, si organizatë e huaj terroriste. Donald Trump iu referua kësaj force ushtarake prej 125,000-vetësh si “mjeti kryesor i Iranit për drejtimin dhe implementimin e fushatës së tij globale terroriste”.

Kjo është hera e parë që SHBA etiketon ushtrinë e një vendi të huaj si grup terrorist dhe nënkupton që çdokush që ofron mbështetje materiale apo morale për IRGC-në mund të përballet me burgun në SHBA. Megjithatë, një veprim i tillë nuk ishte i papritur.