Monedha Iraniane Zhvlerësohet me 7.5% Pas Etiketimit Terrorist të IRGC-së

356

Vlera e monedhës iraniane ra në mënyrë dramatike natën e djeshme në vijim të vendimit të SHBA-së për t’i etiketuar Trupat e Gardës Revolucionare të regjimit iranian (IRGC) si një organizatë e huaj terroriste.

Vlera e rialit ra me 7.5 përqind në shifrën 144,000 rial për një dollar amerikan në fund të ditës së të hënës, ndërkohë që të dielën më 7 prill, tregtohej me vlerën 134,000 për një dollar.

Donald Trump tha në një deklaratë: “[SHBA] e pranon realitetin se jo vetëm që regjimi iranian është një Sponsorizues Shtetëror i Terrorizmit, por edhe se IRGC merr pjesë aktive, financon dhe promovon terrorizmin si vegël të politikë-bërjes… “[IRGC është] mjeti parësor i qeverisë iraniane për drejtimin dhe implementimin e fushatës së saj terroriste globale.”

Kjo është pjesë e fushatës së “presionit maksimal” të SHBA-së për ta ndëshkuar regjimin iranian për veprimtaritë e tij të ndryshme destabilizuese në Lindjen e Mesme, duke përfshirë programet e tij të raketave balistike dhe armëve bërthamore, mbështetjen për regjimin e Bashar Assad në Siri, rebelët Houthi në Jemen, dhe grupin militant Hezbollah në Liban, si dhe për komplotet e vrasjeve dhe terrorit në Europë e SHBA.

Kreu i bankës qendrore te Iranit, Abdolnasser Hemmati, u përpoq ta rriste rialin të dielën, duke pritur vendimin e SHBA-së, por kur u shpall etiketimi, asgjë s’mundi ta pengonte uljen e vlerës.

Kjo gjë paralajmëron probleme të tjera për ekonominë e regjimit iranian pasi IRGC kontrollon një sektor të gjerë të ekonomisë, shpesh përmes kompanive frontale, kështu që masat e rënda ekonomike mbi interesat e saj të biznesit mund të çojë në përshkallëzim ushtarak, gjë që krijon pasiguri për bizneset dhe popullin iranian.

IRGC kontrollon pjesë të mëdha të industrive të ndërtimit, telekomunikacionit, automobilistike dhe energjitike.

Riali iranian u zhvlerësua masivisht vitin e shkuar – pavarësisht përpjekjeve të Regjimit për ta fiksuar artificialisht kursin e këmbimit – dhe ka rënë me 80% përkundrejt monedhave kryesore. Kjo gjë ka shkaktuar inflacion të lartë, uljen e fuqisë blerëse të konsumatorëve, papunësi të lartë, dhe rritje të varfërisë, të gjitha në një kohë kur Irani po përballet me përmbytjet më të rënda në dhjetë vite.

Regjimi Iranian është përpjekur t’i fajësojë për këtë krizë armiqtë e tij në Lindjen e Mesme dhe në botë, por e vërteta është se këto probleme ekonomike janë shkaktuar nga 40 vite korrupsion e keqmenaxhim. (Riali kishte vlerën 70 përkundrejt dollarit në vitin 1978, para se mullahët ta rrëmbenin pushtetin nga populli në Revolucionin e 1979-ës.)

Edhe rënia fillestare e madhe e rialit vitin e shkuar (dhe përpjekjet e mëvonshme për ta stabilizuar) ndodhi para se SHBA të tërhiqej nga pakti bërthamor i 2015-ës dhe të rivendoste sanksionet.