Përmbytjet në Iran: Keqmenaxhimi i Krizës dhe Rreziqet që Ai Ka Sjellë

392

Është raportuar së fundmi se ekziston një rrezik i konsiderueshëm që ujërat e përmbytjeve të zhvendosen nga zonat veriore drejt Khuzestanit, gjë që do të shkaktonte shkatërrime edhe më të rënda e vdekjeprurëse në vend!

Ndërkohë që shumë zyrtarë të qeverisë pretendojnë se po e “menaxhojnë krizën” në mënyrë të efektshme, shumë njerëz janë të shqetësuar në lidhje me një tjetër krizë më të madhe, e cila është keqmenaxhimi i dukshëm i qeverisë dhe paaftësia për të marrë masat e duhura.

Të premten, më 5 prill, Entekhab (një uebsit lajmesh) shkroi: “Për vite të tëra, shumë figura politike e kanë kritikuar menaxhimin jo të efektshëm, sidomos nga personat në krye të menaxhimit të krizave të Iranit. Gjë që tani mund të reflektohet qartë në situatën e ndërlikuar të Pole Dokhtar”.

Sipas Entekhab: “shënjestra kryesore e kritikave është ky sistem i paorganizuar; që ka irrituar shumë njerëz, duke përfshirë vetë guvernatorin e provincës”.

Guvernatori i Pole Dokhtar ka deklaruar së fundmi: “sektorët tanë nuk i njohin mirë përgjegjësitë e tyre”. Me këto fjalë ai i referohet paaftësisë së qeverisë për t’i ndarë apo menaxhuar në mënyrë të efektshme detyrat.

Së fundmi, Ali Sari (përfaqësues i Ahvazit në parlament) foli për ILNA-n rreth mungesës së një menaxhimi të organizuar të krizave si dhe rreth shërbimeve të pamjaftueshme të Khuzestanit.

Siç mund të shihet nga fotot dhe raportet e publikuara, shumë iranianë, sidomos ata në Pole Dokhtar dhe Lorestan, janë dëmtuar rëndë nga përmbytjet. Shqetësimi i njerëzve tashmë nuk është vetëm për dëmet por edhe për pasojat që priten, si për shembull përhapjet e sëmundjeve.

Sari theksoi gjithashtu faktin se “nuk kanë mundur ende ta rikthejnë Khuzestanin në gjendjen normale” dhe se “kjo gjë është shkaktuar nga problemi kryesor që është akumulimi i vëllimit të ujit prapa digave në janar dhe shkurt, si dhe mos-pastrimi i shtretërve të lumenjve; këto janë dy shkaqet kryesore të kësaj fatkeqësie”.

Sipas ILNA: “banorët e Pole Dokhtar i janë hakërryer guvernatorit të Lorestanit për shkak të mungesës së mbështetjes nga zyrtarët injorantë që janë në detyrë”.

Përfaqësuesja e Teheranit, Parvaneh Mafi, duket se është dakord me këtë, pasi ka deklaruar gjithashtu: “Mungesa e vëmendjes në menaxhimin e lumenjve dhe rrugëve të përmbytjeve është arsyeja pse po përkeqësohen dëmet e këtyre përmbytjeve shkatërrimtare në rajonet tona veriore e jugore”. Ajo theksoi: “siç duket qartë nga fotot e rajoneve tona veriore e jugore, kufijtë e lumenjve tanë, edhe të atyre që janë të tharë, janë të pasigurtë dhe në rrezik”.

Ministria e Rrugëve dhe Zhvillimit Urban vuri gjithashtu në dukje zhvillimet e papërshtatshme si dhe lumenjtë e papastruar, si shkaqet kryesore të këtyre përmbytjeve.