Shkruar nga Hamideh Taati më 17 tetor 2019.
Militantët e mbështetur nga regjimi iranian kanë vendosur snajpera mbi tarracat e Bagdadit gjatë protestave më të egra anti-qeveritare të Irakut në vite, kanë thënë për Reuters dy zyrtarë irakenë të sigurisë.
Protestat masive kundër qeverisë irakene dhe kundër pranisë së regjimit iranian në Irak kanë shkaktuar mbi 100 vdekje dhe 6,000 plagosje gjatë javës që nisi më 1 tetor, raporton Reuters.
Burimet e sigurisë irakene kanë thënë për Reuters se udhëheqësit e militantëve të lidhur me Iranin e kanë marrë vetë vendimin të ndihmojnë në shtypjen e protestave masive kundër qeverisë së Kryeministrit iraken Adel Abdul Mahdi, administrata një-vjeçare e të cilit mbështetet nga grupe të armatosur e grupime politike të lidhura me Iranin.
Protestat nisën më 1 tetor nga zemërimi publik lidhur me mungesat kronike të vendeve të punës, elektricitetit dhe ujit të pastër. Irakenët fajësojnë politikanët dhe zyrtarët për korrupsionin sistematik që nuk e lejon Irakun të shërohet pas viteve të tëra plot dhunë sektare dhe luftës shkatërrimtare për të mposhtur Shtetin Islamik.
Burimi i dytë i sigurisë ka thënë për Reuters se snajperat kanë përdorur pajisje të komunikimit radio të cilat janë siguruar nga regjimi i Iranit dhe janë të vështira për t’u ndërprerë, duke u dhënë kështu këtyre grupeve një rrjet krejtësisht privat.
Një grup komandantësh të lartë nga Garda Revolucionare e regjimit iranian kanë shkuar në Irak në ditën e dytë të protestave dhe janë takuar me zyrtarët irakenë të inteligjencës dhe sigurisë, sipas një diplomati në rajon i cili ka njohuri për procesin e vendim-marrjes së regjimit iranian. Pas takimit, zyrtarët e lartë të Gardës Revolucionare me eksperiencë në frenimin e trazirave civile vazhduan ta këshillonin qeverinë irakene, tha diplomati për Reuters.
Teksa protestat hynë në ditën e tyre të tretë, më 3 tetor, snajperat u shfaqën mbi tarracat e Bagdadit. Një kameraman i Reuters i cili po filmonte trazirat pranë Sheshit Tahrir të Bagdadit atë mbasdite tha se kishte parë një snajper të veshur në të zezë e me balaklava teksa qëndronte mbi tarracën e një godine në ndërtim e sipër, nga ku shiheshin demonstratat.
Protestuesit ikën me vrap sapo snajperi hapi zjarr.