Mbështetësit e MEK në Suedi dënojnë ekzekutimet në Iran

408

Suedi, 16 tetor 2019—Në verën e 1988-ës, Ruhollah Khomeini, themeluesi dhe lideri suprem i atëhershëm i regjimit të mullahëve, dha urdhër për një spastrim masiv në burgjet e Iranit, për të gjithë ata që kishin lidhje me Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), e cila ishte opozita kryesore ndaj sundimit të tij brutal.

Brenda një periudhe prej pak javësh, autoritetet e regjimit gjykuan dhe ekzekutuan mbi 30,000 të burgosur politikë, shumica prej të cilëve ishin anëtarë e mbështetës të MEK. Shumica e viktimave pothuajse e kishin mbaruar dënimin e tyre me burg, ndërsa të tjerë e kishin mbaruar që më parë dënimin por ishin mbajtur më gjatë në burg.

31 vite më vonë, populli iranian as nuk i ka harruar dhe as nuk i ka falur autorët e masakrës së 1988-ës. Të shtunën, fotot e mijëra anëtarëve të MEK-ut të ekzekutuar nga regjimi gjatë masakrës së 1988-ës dekoruan rrugët e Malmos në Suedi. Mbështetësit e MEK, të cilët ishin mbledhur për një demonstratë me rastin e Ditës Botërore Kundër Dënimit me Vdekje, nderuan kujtimin e viktimave të masakrës së 1988-ës dhe bënë thirrje për një politikë të rreptë ndaj një regjimi që ka më shumë se katër dekada që kryen krime kundër popullit të vet.

Ky event përfshiu gjithashtu shfaqje në rrugë ku tregoheshin krimet e kryera brenda burgjeve të Iranit.

Gjatë demonstratës mbajtën fjalime familjarët e viktimave të masakrës së 1988-ës, si dhe të mbijetuarit e dëshmitarët e krimeve të regjimit. Pjesëmarrësit u bënë thirrje liderëve europianë dhe Kombeve të Bashkuara që t’ia referojnë Këshillit të Sigurisë të OKB-së dosjen e shkeljeve të të drejtave njerëzore nga regjimi.