Shkruar nga Mohammad Sadat Khansari më 17 tetor 2019.
Të enjten, ligjvënësit britanikë i bënë thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që të fokusohet tek të drejtat njerëzore në politikën e saj ndaj Iranit dhe ta njohë të drejtën e popullit iranian për t’i përmbysur diktatorët e tij.
Anëtarë të Parlamentit nga të gjitha partitë i kanë bërë thirrje Kryeministrit Boris Johnson që ta nxisë Organizatën e Kombeve të Bashkuara për t’i kërkuar llogari regjimit të Iranit për abuzimet ndaj të drejtave të njeriut, në veçanti për masakrën e 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë.
Udhëheqësja e opozitës iraniane Maryam Rajavi dërgoi një mesazh në këtë event parlamentar, i cili ishte organizuar nga Komiteti Parlamentar Britanik për Lirinë e Iranit me rastin e Ditës Botërore Kundër Dënimit me Vdekje.
“Shkeljet flagrante të të drejtave njerëzore të popullit të Iranit, duke përfshirë ekzekutimet që vazhdojnë, po justifikohen nga politika e paqësimit dhe e heshtjes që ndjekin qeveritë perëndimore,” tha Maryam Rajavi.
“Politika e paqësimit ia bën të mundur regjimit klerikal që t’i shfrytëzojë qendrat e tij diplomatike dhe ta vazhdojë terrorizmin e tij në tokën europiane, të mësyjë anije në ujërat ndërkombëtare, dhe të sulmojë komplekset e naftës në vendet fqinje,” shtoi znj. Rajavi.
Në këtë event folën gjithashtu Dr Matthew Offord MP; Bob Blackman MP; Rt Hon David Jones MP; Sir David Amess MP; Kate Hoey MP; Steve Pound MP; Steve McCabe MP; Roger Godsiff MP; Sir Martin Vickers MP; Lord Clarke i Hampstead CBE; Lord Singh i Wimbledon; Lord Maginnis i Drumglass; Tahar Boumedra, ish-Drejtor i Zyrës së OKB-së për të Drejtat Njerëzore në Irak; Jocelyn Scott, avokate australiane dhe shkrimtare e njohur e mbrojtëse e të drejtave të grave; dhe Hossein Abedini i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI-së.
Në konferencë dhanë dëshmitë e tyre familjarët e anëtarëve të MEK që kanë vdekur në masakrën e 1988-ës në Iran.