Wednesday, February 1, 2023

Ligjvënësi Amerikan: Informatat mbi Regjimin Iranian Janë ‘të Besueshme’

Nga Shahriar Kia

Ëill Hurd (R-Texas), Kongresmen i Shteteve të Bashkuara, tha të dielën se informatat mbi regjimin e Iranit si një kërcënim në rritje janë “të besueshme.”

“I kam parë informatat, janë informata shumë të besueshme. Këto informata janë marrë nga punëtorë të zellshëm në CIA, në komunitetin tonë të inteligjencës,” Rep. Hurd, një ish-oficer i CIA-s, tha në programin “Face The Nation” të CBS të dielën.

“Janë liderët tanë ushtarakë që po i kërkojnë disa nga këto masa për të garantuar që njerëzit tanë në atë rajon të jenë të mbrojtur.”

“Mendoj se askush nuk dëshiron të bëjë luftë me Iranin, por duhet të jemi të përgatitur për të mbrojtur trupat tona që janë atje që më përpara.”

Tensionet me Iranin kanë qenë të larta që kur administrata Trump u tërhoq vitin e shkuar nga pakti bërthamor i periudhës së Obamës dhe rivendosi sanksionet mbi Teheranin, raporton The Hill.

Situata është përshkallëzuar javët e fundit, sidomos pasi SHBA dërgoi një grup sulmi me aeroplanmbajtëse dhe një task forcë bombarduese në Lindjen e Mesme për shkak të atyre që zyrtarët i kanë quajtur “tregues dhe paralajmërime shqetësuese e përshkallëzuese” nga regjimi iranian.

Administrata amerikane shpalli të premten se do të dërgonte rreth 1,500 trupa në Lindjen e Mesme për t’iu kundërvënë ndikimit të regjimit iranian, duke dhënë si shkak sërish informatat rreth Iranit.

Ligjvënësit amerikanë u informuan javën e shkuar nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Sekretari në detyrë i Mbrojtjes Patrick Shanahan rreth informatave që mbështesin këto lëvizje ushtarake.