Sunday, September 8, 2024

Regjimi Iranian Mbyll Kishën Asiriane Prezbiterane në Tabriz

Nga Mansoureh Galestan

Komuniteti asirian i krishterë në qytetin veri-perëndimor iranian Tabriz ka mbetur i tronditur pas mbylljes me forcë të kishës presbiterane në fillim të këtij muaji.

Agjentët e inteligjencës të regjimit iranian mësynë kishën 100-vjeçare, e cila bën pjesë në Trashëgiminë Kombëtare të vendit, më 9 maj, ndryshuan të gjitha kyçet, hoqën kryqin nga kulla e kishës, dhe i dhanë urdhër kujdestarit të kishës që të largohej, raporton Agjensia Ndërkombëtare Asiriane e Lajmeve.

Ata e bënë të qartë që asirianët nuk lejohen më të zhvillojnë asnjë shërbim fetar atje, thotë raporti i 23 majit.

Një burim thotë se anëtarët e kishës kishin patur frikë nga kjo gjë që pak ditë pas Krishtlindjeve, kur pastorët nga kishat e tjera nuk u lejuan ta vizitonin kishën e Tabrizit për një shërbim të përbashkët fetar me të krishterë të tjerë asirianë e armenë.

Më pas, më 9 maj, “një numër i madh” agjentësh nga Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) dhe EIKO, një organizatë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Udhëheqësit Suprem të regjimit, “hynë në kompleksin e kishës sonë dhe ua ndryshuan kyçet të gjitha dyerve, hoqën kryqin nga kulla e lartë e kishës, instaluan disa vegla monitorimi dhe nisën ta kërcënonin e ta detyronin kujdestarin tonë që të largohej menjëherë nga vendi i tij brenda kompleksit.”

Kjo kishë, e cila i përket Prezbiterisë asiriane, ka ofruar shërbime në gjuhën asiriane për shumë vite; është “konfiskuar” nga Gjykata Revolucionare në vitin 2011, por anëtarët e kishës kanë mundur të vazhdojnë ta përdorin ndërtesën për shërbime në gjuhën asiriane – deri tani.