Kreu Amerikan i Mbrojtjes Përpiqet t’i Ngrejë Aleatët e NATO-s Kundër Agresionit të Regjimit Iranian

330

 

Sekretari në detyrë i Mbrojtjes i SHBA-së, Mark Esper, u bëri thirrje aleatëve të NATO-s të enjten që t’i dënojnë publikisht veprimet armiqësore të regjimit iranian dhe ta marrin në konsideratë pjeësëmarrjen në një plan në evoluim e sipër për ta përmirësuar mbrojtjen e rrugëve strategjike ujore përreth Ngushticës së Hormuzit.

“Diskutova nevojën për ta ndërkombëtarizuar këtë çështje duke i nxitur aleatët e NATO-s dhe partnerët rajonalë që ta shprehin kundërshtimin e tyre ndaj sjelljes së keqe të Iranit dhe të na ndihmojnë në parandalimin e akteve të mëtejshme provokuese duke përmirësuar sigurinë detare,” u tha Esper reporterëve pas diskutimeve me dyer të mbyllura në zyrat qendrore të NATO-s në daljen e tij të parë ndërkombëtare si kreu i Pentagonit, raporton Reuters.

Vendimi i minutës së fundit i Presidentit amerikan Donald Trump për t’i anulluar sulmet e planifikuara mbi regjimin iranian javën e shkuar shënoi kulmin e një tensioni që ka qenë në rritje për disa javë. Uashingtoni e ka akuzuar gjithashtu Teheranin si përgjegjës për sulmet mbi anijet në Gjirin Persik.

“Nuk kërkojmë konflikt të armatosur me Iranin por jemi gati t’i mbrojmë forcat dhe interesat amerikane në rajon. Askush nuk duhet ta ngatërrojë vetëpërmbajtjen me dobësinë,” tha Esper për reporterët.

I dërguari special i SHBA-së për Iranin tha të enjten se politika e presionit maksimal ekonomik që vendi i tij po ushtron mbi Teheranin po funksionon dhe paralajmëroi se sanksionet amerikane nuk i japin regjimit të drejtën për t’i shkelur detyrimet e tij bërthamore.

“Jemi të përkushtuar ndaj kësaj politike të presionit maksimal ekonomik sepse po funksionon, po e privon regjimin nga nivelet historike të të ardhurave,” tha Brian Hook për Reuters para një takimi me diplomatë të lartë francezë, britanikë dhe gjermanë në Paris.