Saturday, January 28, 2023

Tregtia e Gjermanisë me Regjimin Iranian Rrënohet nën Sanksionet

 

Shkruar nga Mahmoud Hakamian më 28 qershor 2019.

Tregtia midis Gjermanisë dhe regjimit iranian është rrënuar nën impaktin e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, sipas të dhënave të publikuara nga gazetat Funke, raportoi të premten Reuters.

Të dhënat nga Dhoma Gjermane e Tregtisë tregojnë se vëllimet e tregtisë mes Teheranit dhe ekonomisë më të madhe të Europës kanë rënë me 49% gjatë katër muajve të parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2018-ën, dhe vëllimet vazhdojnë të bien.

Kjo rënie – në një vëllim total prej 529 milion eurosh – tregon impaktin e sanksioneve të vëna nga administrata amerikane e Presidentit Donald Trump, sanksione të cilat ndëshkojnë kompanitë që bëjnë biznes me regjimin e Iranit duke ua mohuar aksesin në tregun amerikan.

Ka patur rreth 60 kompani gjermane që vazhdonin të bënin biznes në Iran, sipas Dagmar von Bohnstein, përfaqësuesit të Dhomës në vend, por ato po punonin gjithnjë e më shumë me staf vendas.

Fuqitë europiane dëshirojnë ta ruajnë marrëveshjen e firmosur nga paraardhësi i Trump, marrëveshje e cila i zbuti sanksionet ndërkombëtare mbi regjimin iranian me kushtin që Teherani të pranonte kufizimet ndaj programit të tij bërthamor, në mënyrë që të mos lejohet të ndërtojë armë bërthamore.

Vendet europiane janë përpjekur ta shpëtojnë këtë pakt duke ruajtur disa prej përfitimeve të tij ekonomike pavarësisht sanksioneve amerikane. Deri tani, ato kanë dështuar, dhe regjimi iranian është mjaft i izoluar nga tregjet e naftës dhe të gjitha kompanitë e mëdha europiane i kanë anulluar planet për të investuar në Iran.

Të dhënat më të fundit tregojnë se eksportet gjermane në Iran kanë rënë me 49 përqind në të njëjtën periudhë, në 450 milion euro.