Qindra demonstrues të premten mësynë konsullatën iraniane në provincën jugore të Basra-s, në të cilën ka patur protesta në katër ditët e fundit në sfondin e kërkesave sociale dhe të shërbimeve, të cilat kanë rezultuar në vdekjen e nëntë personave.
Konsullata iraniane në Basra ka konfirmuar djegien dhe shkatërrimin e ndërtesës së saj e cila ndodhet në lagjen e pasur të al-Bardaiya, në jug-lindje të qendrës së qytetit. Ka patur gjithashtu raporte për demonstrues që u jane drejtuar pallateve presidenciale në Basra.
Të paktën 10 protestues kanë vdekur në përplasjet me forcat e sigurisë që nga e hëna, duke përfshirë tre veta që janë qëlluar për vdekje nga forcat e sigurisë natën e së enjtes teksa protestuesit hidhnin kokteje Molotov dhe i vinin zjarrin një ndërtese qeveritare si dhe zyrave të militantëve Shiite në qytet.
Protestat në Basra dhe në qytete të tjera, më seriozet që kanë shkundur zmerën jugore shiite e të pasur me naftë të Irakut në vite, që nga korriku kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund korrupsionit endemik, rritjes së papunësisë dhe shërbimeve të dobëta publike. Përplasjet shpërthyen në fillim të kësaj jave, duke lënë të vdekur disa civilë e policë. Kryeministri Haider al-Abadi ka dhënë urdhër për një hetim mbi këtë dhunë që nuk jep shenja zbehjeje.
Kjo dhunë e nxiti kreun e përkohshëm të parlamentit të Irakut, ligjvënësin më të vjetër, të thirrte një mbledhje urgjente të shtunën për të diskutuar për protestat në rritje.
Protestuesit thërrisnin me slogane anti-iraniane përpara konsullatës iraniane të premten mbrëma, duke përfshirë “Iran, jashtë, jashtë!”, përpara se ta mësynin ndërtesën e t’i vinin zjarrin nga brenda. Mund të shihej tymi që ngrihej nga ndërtesa. Protestuesit dogjën gjithashtu një flamur iranian. Shumë banorë të qytetit ku mbizotërojnë shiitët akuzojnë partitë politike që mbështeten nga Irani se ndërhyjnë në politikën irakene dhe disa i mbajnë përgjegjëse këto parti për keqmenaxhimin dhe shërbimet e dobëta në qytet.