Monday, September 9, 2024

Maryam Rajavi Dënon Sulmet me Raketa mbi Zyrat Qendrore të Partive Kurde, Ekzekutimi i Tre Aktivistëve Kurdë

 

Znj. Rajavi i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara të ndërhyjë dhe t’i adresojë këto mizori

Regjimi iranian sot vari tre të burgosur politikë kurdë, Ramin Hossein-Panahi, 24, Zanyar Moradi, 30, dhe Loghman Moradi, 32, në Burgun e Gohardasht, në Karaj.

Përballë një zemërimi e urrejtjeje të jashtëzakonshme popullore, regjimi i kreu ekzekutimet pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme ndërkombëtare, për të terrorizuar publikun dhe për të parandaluar protesta të mëtejshme anti-regjim.

Tre të burgosurit kishin qenë në grevë urie për disa ditë. Zanyar dhe Loghman kshin qenë në burg për më shumë se nëntë vite, dhe Ramin kishte qenë i burgosur për 14 muajt e fundit. Gjatë kohës së burgimit, u ishte ushtruar një presion shumë i rëndë.

Rezistenca Iraniane i ka bërë vazhdimisht thirrje, madje edhe ditën e djeshme, Këshillit të Sigurisë së OKB-së dhe shteteve anëtare, që të ndërmarrin masa urgjente për të parandaluar këto ekzekutime arbitrare që janë në kontradiktë flagrante ndaj normave të njohura ndërkombëtare.

Në një zhvillim tjetër, regjimi iranian ka lëshuar raketa mbi zyrat qendrore të Partisë Demokratike Kurde të Iranit dhe të Partisë Demokratike të Kurdistanit, brenda në territorin e Kurdistanit iraken. Disa anëtarë e peshmerga të të dy partive u vranë dhe një numër më i madh u plagosën.

 

Nën drejtimin e Mohsen Rezaii, ish Komandant i IRGC dhe Sekretar i Këshillit të Ekzigjencës së Shtetit, uebsiti Tabnak shkroi pak orë pas këtij sulmi kriminal, “Forcat e Trupave të Gardës Revolucionare… kanë marrë në shënjestër që mëngjesin e sotëm, e shtunë (8 shtator), pozicionet ushtarake… të Partisë Demokratike Kurde të Iranit dhe të Partisë Demokratike pranë qytetit Kouyeh, 200 km larg kufirit iranian.”

Tabnak shton, “IRGC ka lëshuar gjashtë raketa sipërfaqësore mbi zyrat qendrore të Partisë Demokratike të Kurdistanit, duke lënë dhjetëra persona të vdekur e të plagosur.”

Presidenti i Këshillit të Ministrave të Rajonit Kurdistan të Irakut ka nxjerrë një deklaratë ku dënon sulmet mbi zyrat qendrore të të dy partive “nga Republika Islamike e Iranit, gjë që ka çuar në një numër vdekjesh e viktimash.”

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, e ka përshkruar ekzekutimin e tre aktivistëve kurdë si dhe sulmet me raketa mbi zyrat qendrore të Partisë Demokratike Kurde të Iranit dhe të Partisë Demokratike të Kurdistanit si krime kundër njerëzimit, dhe i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara që t’i adresojë këto mizori.

Ajo ka brohoritur martirët dhe u ka ofruar ngushëllimet e saj Partisë Demokratike Kurde të Iranit dhe Partisë Demokratike të Kurdistanit, si dhe miqve aktivistë dhe të afërmve të atyre që humbën jetën apo që u ekzekutuan. Ajo uroi gjithashtu shërim të shpejtë për të plagosurit në këto sulme kriminale.

Znj. Rajavi i bëri thirrje popullit të Kurdistanit si dhe mbarë Iranit të ngrihet e të protestojë kundër regjimit iranian. “Regjimi anti-njerëzor i mullahëve është i vendosur me çdo kusht që ta rrisë atmosferën e terrorit e të shtypjes për ta shuar kryengritjen e popullit iranian përmes shtypjes, ekzekutimeve, bombardimeve dhe sulmeve me raketa. Por do ta marrë këtë dëshirë me vete në varr,” tha ajo.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
8 Shtator 2018