Saturday, September 7, 2024

Komandanti i CentCom: Irani Është Kërcënimi më i Madh i Lindjes së Mesme

 Komandanti i ardhshëm i Komandës Qendrore të SHBA-së në Lindjen e Mesme ka thënë se sjellja e ligë e Iranit vetëm sa është rritur këtë vit.

Marinsi i nominuar Lt. Gen. Kenneth McKenzie Jr., drejtor i Shtabit të Përbashkët që nga gushti 2017, u tha ligjvënësve në seancën e konfirmimit të tij nga Komiteti i Senatit për Shërbimet e Armatosura të martën se Irani është “kërcënimi më i rëndësishëm afat-gjatë e afat-shkurtër” në Lindjen e Mesme.

McKenzie, i cili me shumë mundësi do të konfirmohet përpara fundit të vitit, tha: “Sjellja e ligë e Iranit nuk është zbutur as gjatë paktit bërthamor, as pas tij, në fushat që shoh unë — pra në zhvillimin e raketave balistike, në veprimtaritë e tij në Siri e Jemen, si dhe në vende të tjera [të Lindjes së Mesme].”

Duke iu drejtuar Sen. Ted Cruz të Teksasit, McKenzie theksoi  se tërheqja e SHBA-së nga pakti bërthamor i vitit 2015, i njohur ndryshe si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA), dhe rivendosja e sanksioneve po ushtron presionin e nevojshëm mbi Regjimin Iranian, por shprehu shqetësimin se kjo mund të prishet nga fakti se vendet e tjera përpiqen t’i anashkalojnë sanksionet.

Një nga shqetësimet kryesore të McKenzie-it është përpjekja e Teheranit për të zhvilluar një raketë balistike ndër-kontinentale me “fushë veprimi të konsiderueshme”, mundësisht duke përdorur rezultatet kërkimore të programit të tyre hapësinor, e cila mund të përdoret për të mbajtur koka raketash bërthamore. Ai tha që nëse Irani lejohet të kthehet në një fuqi bërthamore, do ta kërcënonte SHBA-në, do të destabilizonte rajonin dhe “do të çonte në pasojën më të keqe të mundshme për ne, e cila do të ishte proliferimi”.