BE i Bashkohet SHBA-së në Dënimin e Regjimit Iranian për Veprimtaritë e Lidhura me Raketat Balistike

414

 Në fundjavë, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, shpalli në Twitter se Irani ka testuar raketa balistike. Mesazhi i tij lexon: “Regjimi iranian sapo ka testuar një raketë balistike të mesme, e cila mund të mbajë disa koka. Ky test shkel UNSCR 2231.

Irani po e shton testimin & proliferimin e raketave. E dënojmë këtë akt dhe i bëjmë thirrje Iranit që t’i japë fund këtyre veprimtarive.”

Raketat balistike që Irani ka testuar mund të arrijnë kudo në Lindjen e Mesme, madje edhe deri në Europë. Pompeo tha se Irani po shkel rezolutën e Këshillit të Sigurisë së OKB-së, e cila ndalon kryerjen e çdo veprimtarie që ka lidhje me “raketa balistike të projektuara për të qenë të afta të lëshojnë armë bërthamore, duke përfshirë lançimet që bëhen duke përdorur teknologji të tilla raketash balistike”.

Pompeo i bëri thirrje Iranit që t’i japë fund menjëherë veprimtarive të raketave balistike dhe e ka bërë shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta tolerojnë një sjellje të tillë. Edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Franca i kanë bërë thirrje Iranit që t’i ndalë këto veprimtari, si dhe kanë rënë dakord që Irani mund të jetë duke shkelur rezolutën e OKB-së.

Të shtunën, Jeremy Hunt, sekretari i jashtëm anglez tha se Mbretëria e Bashkuar është “thellësisht e shqetësuar” për veprimet e Iranit, duke i përshkruar ato si “provokative, kërcënuese dhe të papërputhshme me UNSCR 2231”. Ai tha gjithashtu se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Planin e Përbashkët të Veprimit (JCPOA), apo paktin bërthamor të 2015-ës me Iranin, siç njihet ndryshe, “nuk e pakëson në asnjë mënyrë shqetësimin tonë për programin destabilizues raketor të Iranit, apo vendosmërinë tonë që ky program duhet të marrë fund”.

Shtetet e Bashkuara nxitën Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë që të ndjekin shembullin e të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore, por të gjitha këto vende e rikonfirmuan përkushtimin e tyre për ta ruajtur marrëveshjen. Megjithatë, gjërat mund të ndryshojnë ndërkohë që sjellja luftarake e Iranit tregon se nuk ka kufij.

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në komitetin politik dhe të sigurisë së BE-së, Paul Johnston, ka thënë se këshilli i BE-së për punët e jashtme do të ketë disa çështje të rëndësishme për të diskutuar më 10 dhjetor. Johnston tha se kërcënimi i Iranit mbulon pika të shumta dhe nuk mund të shpërfillet.

Ministria e jashtme franceze i ka përshkruar gjithashtu veprimet e Iranit si “provokative” dhe “destabilizuese” dhe ka thënë se e dënon testimin e raketave balistike nga Irani.