Qeveria kanadeze thotë se është “thellësisht e shqetësuar” për mbajtjen e vazhdueshme në arrest të studiueses së mjedisit, Niloufar Bayani, e cila gjendet përballë dënimit me vdekje në Iran, me akuza të paqarta sigurie.
Të premten, zëdhënësi i Global Affairs Canada, Richard Walker, tha se qeveria kanadeze “është thellësisht e shqetësuar” për arrestimin e Bayani-t dhe mbetet “e përkushtuar ndaj vënies së Iranit përpara përgjegjësisë për shkeljet e tij ndaj të drejtave njerëzore e demokratike”.
Bayani, e cila po mbahet në burgun famëkeq Evin, u arrestua në janar nga Trupat e Gardës Revolucionare iraniane (IRGC), së bashku me tetë aktivistë të tjerë të mjedisit të cilët po monitoronin gatopardët e rrezikuar aziatikë përmes kamerave që aktivizohen nga lëvizja.
Këto arrestime janë dënuar nga shkencëtarët, ambjentalistët e aktivistët e të drejtave njerëzore. Antropologia Jane Goodall është vetëm një nga 350 konservacionistët, akademikët e studiuesit nga 70 vende të botës, të cilët bëjnë thirrje që ambjentalistëve t’u ofrohet trajtim “i drejtë e i paanshëm”.
Miqtë dhe kolegët e Bayani-t, sidomos ata që e njohin nga diploma e saj e biologjisë në McGill University apo nga puna e saj në Programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin në Gjenevë, e kanë kritikuar gjithashtu burgosjen e saj në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për të ushtruar presion për lirimin e saj. Anthony Ricciardi, një biolog i McGill University për të cilin Bayani ka punuar si asistente kërkimi, ka shpjeguar se është “i shqetësuar për sigurinë e saj”.