Friday, September 20, 2024

Khamenei Shumë i Dobët për të Ndërhyrë Lidhur me Projektligjin Kundër Financimit të Terrorizmit

Nga Shahriar Kia

Udhëheqësi Suprem i Iranit Ali Khamenei, pavarësisht lutjeve të Kabinetit, po refuzon të përfshihet në debatin që kërcënon ta përçajë Regjimin lidhur me miratimin e ligjeve kundër pastrimit të parave dhe kundër financimit të terrorizmit, të cilat janë thelbësore për përmirësimin e marrëdhënies financiare të Iranit me pjesën tjetër të botës.

Afërsisht dy javë më parë, tetë anëtarë të kabinetit të Presidentit Hassan Rouhani, të kryesuar nga ministri i jashtëm Javad Zarif, i shkruan Khamenei-t duke i kërkuar të japë urdhër që Këshilli i Volisë të miratojë projektligjet e Palermos dhe CFT – dy të mbeturat nga katër projektligjet që duhet të bëhen ligj në mënyrë që Irani të miratohet nga trupi ndërkombëtar kundër pastrimit të parave, Task Forca për Aksionin Financiar (FATF).

Afati për miratimin e ligjeve po mbaron, dhe Iranit i ka mbetur tashmë më pak se një muaj për të miratuar projektligjet dhe për të siguruar aq transparencë në transaksionet e tij financiare sa asnjë komplot i madh për pastrim parash apo për financimin e terrorizmit të mos mund të bëhet pa u identifikuar lehtësisht nga agjensitë ndërkombëtare të monitorimit. E megjithatë, Khamenei refuzon të ndërhyjë, ndonëse e di mirë se sa e rëndësishme është kjo gjë dhe se është ai që duhet ta japë fjalën e fundit mbi këtë situatë.

Por e vërteta është se ai ka ngecur në vend, i shtyrë nga të dyja anët e argumentit. Çdo vendim që të marrë do të shihet si i gabuar nga të paktën njëri prej grupeve të Regjimit dhe kjo gjë mund ta bëjë të humbasë kapital politik. Grupi i Rouhani-it pretendon se kjo gjë do ta ndihmojë Iranin të luftojë kundër sanksioneve amerikane, por Regjimi nuk mund t’i përqafojë këto norma ndërkombëtare pa i dhënë fund eksportit të “revolucionit” të tij përmes grupeve terroriste apo përmes nepotizmit dhe korrupsionit që kanë marrë dhenë në nivelet e larta të Regjimit.

Tani, disa persona të Regjimit janë përpjekur ta minimizojnë rëndësinë e kësaj letre, përfshirë këtu Mahmoud Vaezi, shefi i stafit të Rouhani-t, i cili pretendoi se kjo është një gjë “normale” për ministrat dhe kritikoi ata që kanë vënë në dukje karakteristikat e pazakonshme të kësaj situate. Por fakti që Khamenei nuk ka ndërhyrë ende tregon se ai mund ta ndiejë se nuk është mjaftueshëm “i fuqishëm” për ta bërë këtë, sipas Rezistencës Iraniane.

Rezistenca Iraniane shkruan: “Kur Lideri Suprem përpiqet t’i bëjë bisht një përgjigjeje të qartë ndaj një letre drejtuar atij rreth një debati me rëndësi strategjike për të ardhmen e Republikës Islamike, mund të jemi të sigurtë se nuk i ka mbetur shumë status e ndikim, kështu që ai nuk ka aq besim sa ta rrezikojë atë që i ka mbetur.”