Monday, September 9, 2024

BE Ka Ngecur në Krijimin e Mjetit për Qëllim të Veçantë për Iranin

BE duket se ka ngecur në implementimin e një mjeti për qëllim të veçantë (SPV) për të ruajtur tregtinë me Iranin dhe për t’iu shmangur sanksioneve amerikane, sipas raporteve nga Brukseli të hënën, më 28  janar, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis shteteve anëtare të BE-së rreth njërit prej dhjetë neneve.

Një diplomat i BE-së ka deklaruar se Spanja është kundër një neni që i referohet bisedimeve të Europës me Iranin rreth pranisë së tij në Jemen pasi ky vend i Europës jugore nuk ka qenë i pranishëm në këto bisedime.

Të premten, kur pritej që BE të shpallte SPV-në e saj, u raportua se SHBA, e cila është e vendosur për t’i imponuar “plotësisht” sanksionet e saj kundër Iranit, po i vrojtonte nga afër përpjekjet e BE-së. Sipas Associated Press, Shtëpia e Bardhë po i bën “paralajmërime” Europës duke thënë se do të ketë “gjoba dhe penalitete të rrepta” nëse Europa përpiqet t’u kundërvihet sanksioneve amerikane.

Senatori Tom Cotton tha: “Pyetja është a duhet të bëjnë biznes me Iranin apo me Shtetet e Bashkuara… Shpresoj që aleatët tanë europianë të zgjedhin me kujdes.”

Po atë ditë, Maja Kocijancic, përfaqësuesja për Kreun e Politikës së Jashtme të BE-së, tha se përgatitjet për SPV-në janë në një “fazë të avancuar” dhe se sistemi mund të nisë “shumë shpejt”, ndërsa një burim i informuar i BE-së ka thënë se SPV do të regjistrohej të hënën më 28 janar.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, Këshilli Europian do të nxirrte një deklaratë për të shprehur shqetësim ndaj ambicieve ushtarake të Iranit në rajon, programit balistik, veprimeve armiqësore në BE, dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Sigurisht, edhe nëse SPV ka dështuar në BE, ashtu siç duhet të ndodhë pasi jo vetëm që shkel sanksionet amerikane por i jep gjithashtu mbështetje një Regjimi despotik, mbështetja ekonomike e BE-së për Regjimin Iranian nuk është asgjë krahasuar me mbështetjen politike që ajo i ofron duke mbetur pjesë e paktit bërthamor të 2015-ës dhe duke legjitimizuar mullahët.

Populli iranian e ka bërë të qartë pikëpamjen e tij. Njerëzit dëshirojnë ta rrëzojnë nga pushteti Regjimin Iranian dhe janë të vendosur ta bëjnë këtë me ndihmën e forcave të tyre të Rezistencës, por për sa kohë që qeveritë perëndimore vazhdojnë ta trajtojnë Regjimin Iranian si një qeveri “normale” me të cilën mund të kenë dialog me vlerë, ato pështyjnë mbi dëshirën e popullit iranian për liri.

SHBA u tërhoq nga pakti bërthamor i 2015-ës me Iranin në maj 2018, duke cituar hilet e Iranit, të cilat janë bërë gjithnjë e më të dukshme me kalimin e kohës, dhe e rriti mbështetjen për popullin iranian. BE duhet të bëjë të njëjtën gjë.