Sunday, September 8, 2024

Irani Dënon të Burgosurën e Ndërgjegjes me 148 Goditje me Kamxhik Pasi Ajo Ka Treguar Trajtimin e Keq në Burg

Irani ka dënuar një të burgosur të ndërgjegjes me 148 goditje për faktin se e ka ngritur zërin për kushtet e këqija të jetesës në Burgun Gharchak, duke përfshirë mohimin e trajtimit mjekësor.

Elham Ahmadi, një anëtare e minoritetit fetar Sufi Gonabadi, është akuzuar për “publikim të gjërave të pavërteta” dhe “fyerje të agjentëve që kryejnë detyrat e tyre” bazuar në një padi të bërë nga kreu i burgut, Mehdi Mohammadi, për faktin se i ka treguar një uebsiti se një e burgosur tjetër e burgut në Varamin, në jug të Teheranit, po privohej nga kujdesi i duhur mjekësor.

Shahnaz Kianasl, një e burgosur Sufi Gonabadi, po vuante nga gjakderdhje të brendshme por nuk po merrte vëmendje mjekësore në klinikën e Burgut Gharchak në kohën kur Ahmadi dha një intervistë me telefon rreth këtyre kushteve të padrejta. Kianasl u transferua më në fund në një spital të jashtëm për t’u trajtuar.

Sipas një burimi pranë Ahmadi-t, i cili nuk dëshiron të identifikohet nga frika e ndëshkimit, Mohammadi e kërcënoi se do ta padiste për nxjerrjen e sekreteve të burgut pasi ishte zemëruar shumë nga kjo gjë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se goditja me kamxhik është një ndëshkim mizor e çnjerëzor i barasvlefshëm me torturën.

Ahmadi vuan një dënim me dy vjet burg. Ajo u arrestua në Teheran më 20 shkurt 2018, në vijim të një ballafaqimi të dhunshëm mes policisë dhe Sufi-ve. Sufi-t kishin qenë duke protestuar në paqe për të kërkuar lirimin e njërit prej tyre nga burgu dhe ndalimin e arrestit të shtëpisë të liderit të tyre fetar, Nour Ali Tabandeh. Më pas, policia u përpoq ta shtypte protestën me dhunë, duke bërë që Sufi-t të vetëmbroheshin.

Bashkëshorti i Ahmadi-t, Jafar, u arrestua një ditë para së shoqes, në ditën e parë të ballafaqimeve. Ai po vuan një dënim prej shtatë vjetësh në Burgun e Madh të Teheranit (GTP).

Vajza e tyre 16-vjeçare dhe djali nëntë vjeç do të rrinin fillimisht nën kujdesin e një gjysheje, por pasi ajo u sëmur rëndë, fëmijët u dërguan të jetonin me një grua dervish, Masoumeh Barakouhi. Fëmijët e kanë parë të ëmën vetëm dy herë gjatë vitit të shkuar, pavarësisht rregullave të burgut iranian, të cilat lejojnë një vizitë në muaj.

Burimi tha: “Çdo i burgosur ka të drejtën të marrë një vizitë në muaj por që nga burgosja e tyre, gratë Sufi kanë patur vetëm dy vizita familjare, një herë në prill dhe një herë tjetër në gusht.”

Pesë gra që i përkasin komunitetit Sufi janë aktualisht duke vuajtur dënime nga një në dy vjet në Burgun Gharchak me akuza të lidhura me protestat e shkurtit 2018. Këto gra janë Ahmadi, Shekoufeh Yadollahi, Sima Entesari, Shima Entesari dhe Sepideh Moradi.

Janë edhe disa të burgosur të tjetë Sufi të cilët janë liruar me kusht dhe po presin gjyqin.