Thursday, March 28, 2024

“Kemi gërmuar tunele që në vitin 1984 kur filluam për herë të parë të ndërtonim raketa.” Këto ishin fjalët e Gjeneral Amir Ali Hajizadeh, komandantit të Forcave Aerohapësinore të IRGC-së. Ai u intervistua nga Documentary TV i regjimit iranian pak orë pas

 “Kemi gërmuar tunele që në vitin 1984 kur filluam për herë të parë të ndërtonim raketa.” Këto ishin fjalët e Gjeneral Amir Ali Hajizadeh, komandantit të Forcave Aerohapësinore të IRGC-së. Ai u intervistua nga Documentary TV i regjimit iranian pak orë pasi zyra përfaqësuese në SHBA e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)zbardhi ekzistencën e tuneleve të shumta nëpër Iran, të cilat përdoren për të magazinuar raketat me rreze të gjatë veprimi.

Hajizadeh ka luajtur një rol thelbësor në sulmin e 14 shtatorit 2019 me dronë e raketa kruz kundër komplekseve ARAMCO të Arabisë Saudite në thellësi të territorit saudit, sipas informatave të zbardhura më 30 shtator nga zyra përfaqësuese e NCRI-së në Uashington DC.

 

Ndonëse Hajizadeh nuk është anëtar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare (SNSC) të regjimit, sipas informatave të NCRI-së, të siguruara nga Muxhahedinët e Popullit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK), ai ka qenë i pranishëm në seancën e SNSC-së më 31 korrik 2019, seancë ku u mor vendimi për të përgatitur një sulm mbi fushat saudite të naftës.

Pas miratimit të këtij vendimi nga udhëheqësi suprem Ali Khamenei, Hajizadeh mori udhëzimet për të filluar me implementimin e planit.

Mbi dhjetë pika të ndërtimit/magazinimit të raketave me rreze veprimi që shkojnë deri në 2000 km u zbuluan për herë të parë nga zyra përfaqësuese e NCRI-së në SHBA. Fotot satelitore të të gjitha këtyre lokacioneve u bënë të disponueshme për publikun.

“Duhet ta mbrojmë arsenalin tonë në mënyrën e duhur. Kjo ide daton që nga viti 1984, pikërisht atëherë kur nisëm të mendonim për raketa. Që para se të importohej një material i tillë në vend, ne kishim nisur t’i gërmonim tunelet për t’i fshehur ato,” pohoi Hajizadeh në intervistën e tij, e cila u transmetua pak orë pas zbulimeve të publikuara nga Rezistenca Iraniane.

Amir Ali Hajizadeh, komandant i Forcave Aerohapësinore të IRGC-së, përpara një platforme për lëshimin e raketave

“Në ditët e sotme i quajnë qytete raketash, thellë nën male; tunele shumë të sofistikuara ndërtohen thellë nën tokë për të magazinuar municionet, dhe për të fshehur bazat e lëshimit të raketave e instrumente të tjera, si edhe personelin në kushte lufte. Armiqtë tanë janë të shqetësuar sepse nuk mund t’i prekin dot lokacione të tilla,” shpjegoi më tej ai.

Duke iu referuar projektit bërthamor të regjimit, komandanti i forcave aerohapësinore të IRGC-së u mburr duke thënë: “A ju kujtohet, gjatë negociatave bërthamore, sa të ndjeshëm ishin homologët tanë lidhur me (komplekset nëntokësore bërthamore të) Fordo, dhe jo edhe aq lidhur me (kompleksin e pasurimit të uraniumit në) Natanz. Pse? Sepse Fordo ishte i fshehur mirë nën tokë, por nuk mund ta krahasosh Fordo me qytetet tona të raketave; armiku nuk mund t’i dëmtojë kurrë ato vende dhe është kjo që na jep forcën për ta shkurajuar atë.”

Megjithatë, Hajizadeh nuk e përmendi informacionin e zbardhur mbi këto “qytete raketash,” dhe as lidhjen midis këtyre qyteteve dhe sulmit me raketa mbi komplekset saudite.

Gjatë sulmit të 14 shtatorit janë lëshuar raketa kruz të ndërtuara sipas projekteve të Koresë së Veriut. Këto raketa ndërtohen në komplekset e Parchin, sipas NCRI-së, e cila ka paraqitur gjithashtu foto satelitore të këtij lokacioni.

Hajizadeh mbahet mend për faktin se iu kërkua nga lideri suprem i regjimit Ali Khamenei, dhjetë vite më parë, që ta rriste precizionin e modeleve të raketave në mënyrë që ato t’i godisnin shënjestrat e tyre me mijëra kilometra larg brenda dhjetë metrash nga shënjestra e caktuar.

“Unë mendova se 30 metra do të ishte shumë mirë,” pohoi Hajizadeh.

“Por ai po kërkonte më pak gabim, kështu që e morëm përsipër.”

Për më shumë detaje mbi konferencën për shtyp që zbardhi detajet e sulmit të regjimit iranian mbi Instalacionet Saudite të Naftës, klikoni këtu.