IRAN: SHBA Sanksionon IRGC-në dhe Terroristë të Tjerë

510

Shtetet e Bashkuara shpallën sanksione të reja me në shënjestër një “gamë të gjerë terroristësh e mbështetësish të tyre”, duke përfshirë Forcën Quds të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit iranian, Hamas, al Qaeda, dhe Shtetin Islamik, të martën, në vigjilje të 18-vjetorit të sulmeve të 11 Shtatorit.

Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) në Departamentin amerikan të Thesarit tha se do të sanksiononte 15 liderë, individë, dhe entitete gjithsej, duke përdorur mjete të reja të ofruara në një urdhër ekzekutiv të përditësuar së fundmi nga Donald Trump, gjë që rezulton në “disa nga etiketimet më gjithëpërfshirëse të terroristëve e mbështetësve të tyre në 15 vitet e fundit”.

Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha në një deklaratë: “Që nga sulmet e tmerrshme të 11 shtatorit, qeveria e SHBA-së i ka rifokusuar përpjekjet e saj kundër terrorizmit për t’iu përshtatur vazhdimisht kërcënimeve të reja. Urdhri Ekzekutiv i modernizuar për anti-terrorizmin i Presidentit Trump i rrit autoritetet që përdorim për të marrë në shënjestër  financat e grupeve terroriste dhe liderëve të tyre për t’u siguruar që ato të jenë sa më të forta të jetë e mundur.”

Ai vazhdoi: “Këto autoritete të reja do ta lejojnë Qeverinë Amerikane që t’ua shterojë terroristëve burimet që u duhen për të sulmuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë, si dhe do t’u kërkojnë llogari institucioneve të huaja financiare që vazhdojnë të bëjnë biznes me ta. Këto mjete të reja u vijnë në ndihmë përpjekjeve tona të palodhura për t’i shkëputur terroristët nga burimet e tyre të mbështetjes dhe për t’i privuar ata nga fondet e duhura për të kryer veprimtaritë e tyre shkatërrimtare. Ato shërbejnë si një shkurajues i fuqishëm për grupet terroriste radikale dhe për ata që përpiqen t’u vijnë në ndihmë qëllimeve të tyre të liga.”

Është e rëndësishme të vihet në dukje se shumë prej këtyre grupeve terroriste financohen në fakt nga regjimi i Iranit ose kanë marrë mbështetje prej tij.

Këto sanksione nënkuptojnë që çdo pronë që mund të kenë shënjestrat në SHBA do të ngrihej, dhe që personat amerikanë do të ndaloheshin të bënin biznes me ta.