Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Dominic Raab, ka thirrur Ambasadorin e regjimit iranian për të dënuar veprimet e regjimit lidhur me cisternën e naftës Adrian Darya 1.
“Sekretari i Jashtëm Dominic Raab e ka dënuar Iranin për faktin se ka shkelur sigurinë që kishte dhënë lidhur me cisternën e naftës Adrian Darya 1,” tha në një deklaratë Zyra e Jashtme të martën.
“Irani e ka siguruar vazhdimisht Qeverinë e Gjibraltarit se Grace 1/Adrian Darya 1 nuk do të dërgonte naftë tek asnjë entitet i sanksionuar nga BE në Siri apo gjetkë,” thotë deklarata e FCO.
“Tashmë është e qartë se Irani i ka shkelur këto sigurime dhe se nafta është transferuar në Siri tek regjimi gjakatar i Assad-it.”
Veprimet e regjimit iranian përfaqësojnë një shkelje të papranueshme të normave ndërkombëtare dhe Mbretëria e Bashkuar do ta ngrejë këtë çështje tek Kombet e Bashkuara më vonë këtë muaj, thotë Zyra e Jashtme.
“Irani ka treguar mospërfillje të plotë për sigurimet e veta lidhur me Adrian Darya 1,” tha Sekretari i Jashtëm Dominic Raab.
“Kjo shitje e naftës tek regjimi brutal i Assad-it është pjesë e një sjelljeje të përsëritur nga Qeveria e Iranit, sjellje që ka për qëllim ta sabotojë sigurinë rajonale. Kjo përfshin furnizimin e paligjshëm me armë të rebelëve Houthi në Jemen, mbështetjen për terroristët e Hezbollah-ut dhe së fundmi, përpjekjet e tij për t’ua prerë rrugën anijeve tregtare që kalojnë përmes Gjirit Persik,” shtoi z. Raab.
Në fund të gushtit, Shtetet e Bashkuara vunë sanksione kundër Adrian Darya 1 për faktin se ajo transportonte naftë krudo për në Siri, në shkelje të sanksioneve ndërkombëtare.
“Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) e Departamentit amerikan të Thesarit mori masa sot kundër Adrian Darya 1, një cisternë nafte që transporton 2.1 milion fuçi me naftë krudo iraniane, prej së cilës përfiton Forca Qods e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC-QF) të regjimit iranian,” ka thënë Thesari në një deklaratë më 30 gusht 2019.
Kapiteni i Adrian Darya 1, Akhilesh Kumar, është etiketuar gjithashtu si pjesë e kësaj mase të marrë nga SHBA.
Duke komentuar mbi këtë etiketim, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha në Twitter: “SHBA nuk do të rrijë e ta vështrojë regjimin e Assad-it teksa përdor naftën iraniane për të terrorizuar popullin e vet.”
Adrian Darya 1, e cila më parë quhej Grace 1, u ndalua në gusht nga autoritetet britanike në Gjibraltar për shkeljen e sanksioneve të BE-së mbi shitjen e naftës tek regjimi sirian. Anija u lirua më vonë pasi autoritetet britanike u siguruan se nafta nuk do t’i shitej Sirisë.