Nga Amir Taghati
Javën e shkuar, ministri i jashtëm i Iranit Javad Zarif tha se Irani u ka propozuar shteteve të Gjirit Persik që të krijojnë atë që ai e përshkruan si një “pakt kundër agresionit”.
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar gjatë muajve të fundit, duke arritur kulmin në fillim të muajit kur kishte shqetësime se njëri nga vendet do të hidhej në luftë me tjetrin.
Meqë ndihet natyrisht i kërcënuar nga ngjarjet e fundit, duket se regjimi mendon që lëvizja tjetër e arsyeshme do të ishte të gjente ngushëllim tek fqinjët.
Megjithatë, regjimi iranian duket se e ka harruar faktin që Irani për vite të tëra ka treguar agresion ndaj disa vendeve të Gjirit Persik si dhe ndaj interesave të tyre në rajon.
Përpjekjet e Iranit për t’u treguar si fqinj i kujdesshëm janë patetike. Irani nuk ka respekt as për popullin e vet, e jo më për fqinjët. Vetëm shihni çfarë shkatërrimi e kaosi ka shkaktuar Irani në Irak, Liban e Siri. Shihni gjithashtu edhe krizën humanitare në Jemen ku Irani ka luajtur një rol të madh. Irani e ka sabotuar plotësisht sigurinë në të gjithë Lindjen e Mesme, si dhe shumë më gjerë.
Regjimi iranian është i përqendruar në politikat e tij ekspansioniste dhe nuk ka ngurruar kurrë të kurdisë sulme terroriste në shtetet e Gjirit Persik.
Irani është përpjekur më parë të rrëzojë qeveri arabe dhe ka dërguar agjentë të panumërt për të spiunuar në shtetet e Gjirit Persik.
Ministri i jashtëm iranian duhet të jetë krejt i deziluzionuar për të menduar që mund t’u propozojë këtyre vendeve një “pakt” qesharak “kundër agresionit”. Edhe pse duan të promovojnë paqen, këto vende nuk do të bëjnë sikur armiqësia, agresioni, luftënxitja dhe sjellja luftarake e Iranit nuk kanë ndodhur.
Kushdo që ka tundimin t’i japë një shans të dytë regjimit iranian, mjafton vetëm t’i hedhë një sy të shpejtë historikut të Iranit. Regjimi iranian nuk u përgjigjet lëshimeve e dialogut.
Irani duhet të trajtohet me rreptësi e të mbahet përgjegjës për veprimet e tij. Të mos i përsërisim gabimet e së shkuarës. Mbajeni përgjegjës regjimin për veprimet e tij, dhe do të shohim sa gjatë mund të qëndrojë më këmbë.