Iran: Një Deputet i Regjimit Pranon se Problemet e Brendshme Paraqesin më Shumë Kërcënim Sesa SHBA

320

Nga Shamsi Saadati

Regjimi iranian gjendet në një pozicion shumë të vështirë. Mbi të janë vënë sanksione madhore ekonomike dhe  populli i Iranit po ushtron një presion shumë të madh të brendshëm. Administrata Trump është gjithashtu në mesin e një fushate presioni maksimal mbi Iranin dhe morali është i ulët në vend.

Populli ka mjaft kohë që bën thirrje për ndryshim regjimi dhe duket se nuk do të dorëzohet derisa ta fitojë më në fund lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Populli ka qenë viktima e parë e regjimit iranian dhe vazhdon të trajtohet në mënyrë të përçmueshme edhe sot.

Liria e vërtetë nuk ekziston në Iran. Minoritetet etnike, minoritetet fetare, gratë, avokatët, gazetarët, të rinjtë, dhe shumë sektorë të tjerë të shoqërisë përballen me diskriminim dhe trajtim të pabarabartë.

Papunësia është problem i madh dhe varfëria është në rritje. Çdo vit, gjithnjë e më shumë njerëz po bien nën kufirin e varfërisë absolute. Siguria e punës është e rrallë dhe çmimet e të mirave po bëhen të papërballueshme për gjithnjë e më shumë njerëz. Njerëzit po humbasin jetesën teksa bizneset nuk kanë mundësi tjetër veçse ta ndalin tregtinë për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Regjimi iranian normalisht nuk e pranon që problemet shoqërore janë kaq serioze dhe përpiqet të fokusohet tek problemet që nuk e prezantojnë vendin në një dritë kaq negative. Megjithatë, javën e shkuar, një anëtar i parlamentit iranian – Majlis – e ngriti zërin lidhur me situatën, duke thënë se armiku më i madh i vendit është situata ekonomike.

Hossein Maghsoudi tha: “Armiku ynë i brendshëm, i cili është një armik më i madh sesa SHBA, është papunësia e rinisë, margjinalizimi, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve, inflacioni, dëshpërimi, depresioni tek të rinjtë dhe diferencat etnike e fetare në vend.”

Ai përmendi në disa raste se Shtetet e Bashkuara nuk janë armiku më i madh i Iranit, duke theksuar se problemet më të mëdha gjenden brenda vendit. Duke vënë në dukje korrupsionin e përhapur që ka përfshirë të gjithë lidershipin, Maghsoudi tha se zyrtarët kapardisen me “trilionat në kursime”.

Deklarata e Maghsoudi-t se kërcënimi më i madh ndaj mbijetesës së regjimit është brenda vendit, është i saktë. Populli i Iranit do të jetë forca që do të sjellë ndryshimin e regjimit. Ata pothuajse e fituan një të ardhme të lirë nga sundimi i mullahëve gjatë kryengritjes së 2009-ës, por përballë heshtjes së komunitetit ndërkombëtar, nuk ia dolën.

Është tashmë në përgjegjësinë e komunitetit ndërkombëtar që ta kuptojë se nuk duhet ta paqësojë më regjimin iranian. Sidomos politikanët e Europës e kanë paqësuar regjimin iranian për vite të tëra. Irani është sponsori shtetëror më i madh i terrorizmit dhe pengesa më e madhe për paqen e sigurinë në Lindjen e Mesme e më gjerë. Regjimi iranian është përgjegjës për disa abuzime të tmerrshme me të drejtat e njeriut – në të shkuarën dhe aktualisht – dhe i shpërfill konventat ndërkombëtare.

Disa nga vlerat themelore të BE-së përfshijnë respektin për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, demokracinë dhe lirinë. Kështu që nuk duhet ta paqësojë një regjim që i shpërfill dhe nuk i respekton këto vlera thelbësore.