Sunday, September 8, 2024

Iran: Mbi Njëqind Arrestime në Protestat e Gushtit; Thirrje për Aksion Urgjent për të Liruar të Burgosurit

 

Shumica e arrestimeve kryhen nga agjentët me veshje civile nga IRGC dhe zyra e Khamenei-t

Sipas raporteve nga brenda Iranit, gjatë kryengritjes në gusht, janë arrestuar të paktën 1,000 të rinj e protestues.

Sipas ministrit të brendshëm të regjimit, kryengritja ka përfshirë 27 qytete dhe 13 provinca (agjensia e lajmeve IRNA – 21 gusht). Gjithashtu, shume prej atyre që ishin arrestuar gjatë kryengritjes së janarit dhe që ishin liruar me kusht, janë arrestuar përsëri dhe dënuar me burgim të gjatë. Në gusht, shumë të rinj, sidomos mbështetësit e PMOI-MEK , janë arrestuar në shumë qytete të tjera si Yazd, Behshahr, Birjand dhe Ganaveh.

Shumica e arrestimeve janë kryer nga agjentë kriminelë me veshje civile të kontrolluar nga Garda Revolucionare dhe zyra e Khamenei-t. Ata marrin pjesë në demonstrata, i fotografojnë e filmojnë demonstruesit e aktivistët, dhe i arrestojnë kur ata janë larg demonstratës apo duke i sulmuar në shtëpi. Në disa qytete, si Karaj, agjentët me veshje civile kanë tërhequr një pjesë të popullsisë duke thirrur me slogane devijuese dhe i kanë arrestuar.

Shumë prej të arrestuarve transferohen në shtëpi të fshehta, ku merren në pyetje e torturohen nga agjentët e IRGC-së, dhe pastaj dërgohen në burgjet zyrtare, si Evin.

Shumë nga të arrestuarit në Karaj dhe Teheran janë transferuar në Godinën 8 të Burgut të Gohardasht. Askush nuk mund t’i takojë apo t’i kontaktojë të burgosurit në këtë godinë. Rojat e burgut këtu janë të ndryshëm nga rojat e tjera dhe nuk janë nga ‘Organizata e Burgjeve të Iranit’. Të arrestuarit çohen në qeli me sytë e lidhur që në fillim,në mënyrë që të mos e kuptojnë se ku ndodhet godina.

Në gusht, ndërsa kryengritja u përshkallëzua, zyrtarët e regjimit filluan të shprehin zemërim e frikë nga PMOI-MEK. “Shtetet e Bashkuara, regjimi zionist dhe sauditët, të cilët mbështesin PMOI-MEK, kanë iluzionin se PMOI-MEK do të bëjë ndonjë mrekulli për ta,” tha Mohammad Kosari, zëvendës-komandanti i zyrave qendrore të IRGC-së në Sarallah. (Sepah News- 4 gusht, 2018). Rrjeti televiziv shtetëror Channel One tha, “Një studim i lëvizjeve gjatë muajve të fundit tregon se elementët e falimentuar të PMOI-së janë këmbësoria në këtë skenar” (rrjeti televiziv shtetëror Channel One -12 gusht, 2018).

Mullahu Ahmed Salek, një anëtar i Komisionit Kulturor Parlamentar, tha se sloganet që thirren nëpër protesta janë krijuar nga Monafeqin (PMOI-MEK) përmes mediave të huaja” (Tansim, agjensia e lajmeve e Forcës Quds – 2 gusht, 2018).

Rezistenca Iraniane i bën thirrje të gjithë popullit, sidomos të rinjve, të tregojnë solidaritet me të arrestuarit, dhe i bën gjithashtu thirrje Këshillit të Sigurisë, Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe organeve të tjera të Kombeve të Bashkuara të marrin masa të menjëhershme që t’i lirojnë të gjithë të burgosurit politikë, sidomos të arrestuarit e kryengritjes, si dhe ta dënojnë regjimin e mullahëve për shtypjen brutale të protestave popullore.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

5 Shtator, 2018