Nga Sedighe Shahrokhi
Në fillim të javës, Presidenti amerikan Donald Trump shpalli se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRCG) të regjimit iranian do të etiketohen si organizatë e huaj terroriste (FTO). Mediat po e bëjnë shumë të madhe këtë situatë pasi është hera e parë që një qeveri e Shteteve të Bashkuara etiketon ushtrinë e një vendi tjetër si FTO.
Megjithatë, ky është një zhvillim i rëndësishëm sepse IRGC ka vite që i ka plotësuar kriteret për t’u cilësuar një FTO dhe qeveritë e mëparshme nuk e kanë marrë parasysh këtë gjë. Më në fund, një qeveri po merr guximin t’i njohë zyrtarisht veprimtaritë terroriste të IRGC-së.
Grupe të tjera dhe individë të lidhur me ta janë sanksionuar dhe etiketuar – për shembull Hezbollahu libanez, por tani, IRGC që i trajnon këto grupe, si dhe u ofron mbështetje të gjerë financiare, do të trajtohet si organizatë terroriste, ashtu siç e meriton.
Kjo gjë do të ketë pasoja të rënda për regjimin iranian, pasi ai do të hetohet edhe më me vëmendje. Tani pragu është shumë më i ulët për sa i përket provave të nevojshme për mbështetjen e IRGC-së. Por kjo nënkupton gjithashtu se të huajt që kanë patur marrëdhënie me IRGC-në pa e ditur, pasi ajo operon përmes një rrjeti shumë të ndërlikuar e kompleks kompanish, do të zbulohen. Në të njëjtën kohë, do të kapen edhe ata që punojnë me qëllim me IRGC-në.
Kjo lëvizje do të veprojë gjithashtu si një paralajmërim i mëtejshëm ndaj vendeve të huaja për të mos investuar në Iran. Vitin e shkuar, menjëherë pasi Trump shpalli se do të rivendoseshin sanksionet e forta ekonomike, shumë kompani të mëdha europiane vendosën të tërhiqeshin nga Irani. Qeveritë e tyre u premtuan se do të merrnin masa për të garantuar që nuk do të sanksionoheshin nga SHBA, por shumica prej këtyre kompanive vendosën të mos e ndërmerrnin rrezikun.
Populli i Iranit do ta mirëpresë presionin që po ushtrohet mbi regjimin pasi është i dëshpëruar për ndryshim regjimi. Njerëzit janë shumë të vetëdijshëm që regjimi nuk vepron sipas interesave të popullit; por vepron për të mbijetuar vetë. Megjithatë ndryshimi i regjimit është i pashmangshëm pasi mullahët janë në gjendjen më të dobët dhe nuk ka asnjë mënyrë që ata të vazhdojnë ta mbajnë pushtetin.
Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), opozita kryesore ndaj regjimit iranian, dhe alternativa e vetme e arsyeshme, e mbështet popullin e Iranit në përpjekjen e tij për ndryshim. NCRI udhëhiqet nga znj. Maryam Rajavi e cila ka krijuar një plan me 10 pika për Iranin e së ardhmes.
Plani i saj bazohet në të gjitha ato gjëra që regjimi i kundërshton – barazia gjinore në arenën politike, shoqërore dhe ekonomike, heqja e dënimit me vdekje, ndarja e fesë nga shteti, liri, demokraci, sundimi i ligjit dhe drejtësisë, respektimi i të drejtave njerëzore dhe një Irani jo-bërthamor. NCRI do gjithashtu të garantojë që Irani do të bëhet sërish një anëtar i ligjshëm i komunitetit ndërkombëtar dhe thekson se politika e tij e jashtme do të bazohet në bashkëjetesën paqësore dhe në paqen e bashkëpunimin ndërkombëtar e rajonal.