Wednesday, February 1, 2023

Regjimi i dhunshëm i Iranit është në grahmat e vdekjes

Në fund të Dhjetorit, Kryeministri shqiptar Edi Rama përjashtoi ambasadorin e Iranit si dhe sekretarin e parë me argumentin se ata përbënin një rrezik për sigurinë e Shqipërisë.

Nga: Struan Stevenson 

Duke përdorur fuqitë e Dekreteve të Shkurtit dhe Aktit Mundësues në 1933-34, Nazistët konsoliduan pushtetin e tyre dhe iu vunë punës për të parandaluar çdo opozitë të mundshme. Kjo përfshinte përdorimin e frikës dhe dhunës përmes organizatave naziste të tilla si SS dhe Gestapo.

Sundimi i terrorit i Hitlerit u përhap përtej kufijve të Gjermanisë dhe gllabëroi shpejt pjesë të mëdha të Europës e Afrikës. Paralelet me Iranin modern janë krejt të dukshme dhe tmerruese.

Në vijim të revolucionit iranian, i cili solli në pushtet Ajatollah Ruhollah Khomeini-n në shkurt 1979, kushtetuta iraniane u ndryshua për të prezantuar sistemin e velayat-e-faqih, apo të kujdestarisë së juristit islamik, duke i dhënë në mënyrë efektive udhëheqësit suprem një pushtet që pretendohet se vjen direkt nga Zoti.

Si Hitleri, Khomeini veproi shpejt për të eliminuar grupet opozitare ndaj diktaturës së tij klerikale, duke vrarë mizorisht dhjetëra mijëra kundërshtarë politikë të cilët sipas tij ishin fajtorë për “moharebeh” apo “luftë kundër Zotit.”

Masakra sekrete e mbi 30,000 mbështetësve të Muxhahedinëve të Popullit të Iranit/Mojahedin e-Khalq (PMOI/MEK) në gjysmën e dytë të 1988-ës dallohet si një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit në fund të shekullit të 20-të.

Këto shifra tronditëse janë vetëm një fraksion i 120,000 të burgosurve politikë të ekzekutuar deri tani gjatë diktaturës klerikale në Iran.

Khomeini krijoi Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si versionin e vet të SS dhe Gestapos.

IRGC jo vetëm që imponon brutalisht dominimin represiv të regjimit klerikal mbi popullsinë iraniane, por kontrollon gjithashtu pjesën më të madhe të ekonomisë iraniane, duke mos paguar taksa e duke i kanalizuar burimet drejt xhepave të elitës sunduese, ndërkohë që sponsorizon terrorizmin dhe ekspansionizmin agresiv ushtarak jashtë vendit.

Tashmë, vendi me rezervat e dyta më të mëdha të gazit në botë dhe me rezervat e katërta më të mëdha të naftës krudo po përballet me krizë ekonomike dhe protesta mbarëkombëtare.

Miliona iranianë kanë dalë nëpër rrugë çdo ditë gjatë 15 muajve të fundit, duke protestuar kundër korrupsionit të mullahëve dhe shpenzimeve të mëdha për konflikte dhe terrorizëm. I verbër nga paniku, regjimi i mullahëve e ka urdhëruar IRGC-në të marrë masa të pamëshirshme ndaj protestuesve e grevistëve, duke vrarë dhjetëra vetë e duke arrestuar mbi 12,000 njerëz.

Për ta përhapur politikën e tyre të dhunës e terrorit përtej kufijve të Iranit, mullahët krijuan Forcën Quds, një njësi ushtarake jashtë-territoriale nën kontrollin e IRGC-së. Kjo forcë komandohet nga Gjeneral Qasem Soleimani, një strategjist ushtarak i pamëshirshëm i cili është i listuar si terrorist ndërkombëtar në Perëndim. Forca Quds, si Skuadrat e Vdekjes Einsatzgruppen të Hitlerit, sponsorizon dhe mbështet aktorë jo-shtetërorë në shumë pjesë të Lindjes së Mesme dhe përtej saj, duke përfshirë luftën e përgjakshme civile të Bashar al-Assad-it në Siri, rebelët Houthi në Jemen, militantët brutalë Shi’a në Irak dhe Hezbollahun terrorist në Liban. Roli i Forcës Quds në mbledhjen e informatave, sulmet kibernetike, sulmet me bombë dhe vrasjet në mbarë botën është i mirë-dokumentuar.

Të gjendur përballë një krize të rëndë ekonomike pas tërheqjes së Presidentit amerikan Donald Trump nga pakti i dështuar bërthamor i ish-Presidentit Barack Obama dhe rivendosjes së sanksioneve të forta amerikane, mullahët e shohin tashmë regjimin e tyre tek lëkundet në prag të një kolapsi total.

Duke fajësuar lëvizjen më të madhe dhe më të organizuar opozitare, PMOI/MEK, dhe udhëheqësen frymëzuese të saj, Maryam Rajavi-n, për protestat e vazhdueshme mbarëkombëtare, mullahët kanë organizuar një fushatë mbarëbotërore denigrimi, shantazhi e terrori.

Në fund të qershorit, policia gjermane arrestoi Assadollah Assadi-n, një diplomat nga Ambasada Iraniane në Vienë. Dy iranianët që supozohej të shpërthenin bombën i thanë policisë se Assadi ua kishte dhënë bombën dhe i kishte udhëzuar ta detononin atë në një tubim madhor të opozitës iraniane pranë Parisit, ku ishin të pranishëm politikanë të shquar amerikanë si Rudy Giuliani dhe Newt Gingrich. Bombarduesit u akuzuan për akte terrorizmi dhe ndodhen në burg duke pritur gjykimin.

Më pas, masa të ngjashme u morën kundër komploteve terroriste iraniane në Shtetet e Bashkuara, Danimarkë, Hollandë dhe disa vende të tjera europiane, të cilat tashmë kanë vënë sanksionet e tyre mbi regjimin iranian dhe kanë futur në listën e zezë disa prej agjentëve të tij. Në fund të Dhjetorit, Kryeministri shqiptar Edi Rama përjashtoi ambasadorin dhe sekretarin e parë të Iranit me argumentin se ata përbënin rrezik për sigurinë e Shqipërisë.

Është e qartë se Irani i përdor ambasadat e tij si fabrika bombash dhe qeliza terroriste, ku komplotohet për kryerjen e mizorive në Europë e Amerikë.

Shpallja e Trump se ka ndërmend ta etiketojë IRGC-në si organizatë të huaj terroriste është një tjetër gozhdë në arkivolin e diktaturës së dhunshme klerikale. Duke ardhur pas përfshirjes së Soleimani-t dhe Forcës Quds në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara, etiketimi i IRGC-së si organizatë e huaj terroriste është përmbushja e një thirrjeje që është bërë për vite të tëra nga lëvizja kryesore demokratike e opozitës së Iranit, MEK.

Sot, IRGC dhe Forca Quds janë pothuajse një shëmbëllim i SS dhe Gestapos dhe duket se do të pësojnë të njëjtin fat ndërsa bota është dëshmitare e grahmave të fundit të këtij regjimi të dhunshëm iranian.