Situata aktuale në Lindjen e Mesme është, thënë thjesht, e trazuar. Nuk ka harmoni në asnjë pjesë të rajonit dhe shumica e këtyre problemeve janë për shkak të Iranit dhe ndërhyrjes së tij në punët e brendshme të kombeve të tjera. Irani vendos militantë në vende të tjera dhe lëviz andej-këndej armë e personel ushtarak sikur të ishte në krye të punëve në të gjithë zonën.
Regjimi iranian nuk ka respekt për fqinjët e tij apo për kufijtë që i ndajnë ata. S’e ka për gjë të futet në një shtet tjetër dhe të infiltrohet në sistemet që e qeverisin atë. Regjimi iranian bashkëpunon vetëm nëse fiton diçka të madhe në këmbim.
Për ta përkeqësuar situatën, Irani e justifikon eksportin e Ekstremizmit Islamik në një mënyrë të pavend për botën moderne.
Një nga mësimet më të mëdha që mund të merren nga konflikti dhe trazirat në Lindjen e Mesme në vitet e fundit është se kur një komb ndërhyn në punët e të tjerëve, konfliktet ekzistuese përkeqësohen. Irani ka përdorur shpesh pretekstin e përfshirjes për arsye fetare apo etike, por është shumë e qartë se Irani përfshihet vetëm atëherë kur ka diçka për të fituar. Nuk do t’ia dijë për pasojat e veprimeve të tij.
Është e domosdoshme që të vendosen politika të tilla që të sigurojnë respektimin e kufijve dhe që të ndalohen politikat që kanë për qëllim të ndryshojne e të shkatërrojnë demografinë.
Prania e ISIS në rajon e ka shtuar paqëndrueshmërinë dhe ndarjet sektare janë bërë edhe më të dukshme. Beteja e pashmangshme për të hequr qafe ISIS-in ka çuar në krijimin dhe përfshirjen e më shumë militantëve e grupeve proksi.
Shumë shpejt, Vladimir Putin dhe Donald Trump do të takohen në Helsinki, kështu që gjërat ndoshta nuk do të shkojnë ashtu siç shpreson regjimi iranian. A do ta lërë Irani Sirinë dhe të kthehet brenda kufijve të vet?
Vështirë se do ta bëjë këtë gjë. Dhe është e sigurtë se ai nuk deshiron ta bëjë këtë gjë. Kjo sepse kërcënimi më i madh i regjimit iranian është brenda në shtëpinë e tij. Ai është populli i Iranit.
Trazirat e brendshme që nga fundi i Dhjetorit të vitit të shkuar e kanë destabilizuar vërtet udhëheqjen e vendit. Pak protesta për situatën ekonomike u kthyen në një kryengritje madhore dhe protestat vazhdojnë ende sot e kësaj dite.
Në 6 muajt e shkuar, njerëzit në Iran kanë bërë thirrje për ndryshim regjimi dhe kanë thirrur “poshtë Rouhani” dhe “poshtë Lideri Suprem”. Ata e dinë se nuk do të ketë shpresë për të jetuar në një Iran të lirë e demokratik derisa sundimi i mullahëve të marrë fund. Njerëzit kanë bërë thirrje që regjimi ta lërë Sirinë dhe të përqendrohet në ndreqjen e situatës së prishur shoqërore dhe ekonomike brenda vendit.
Regjimi është krejt i paaftë të reformohet, pavarësisht se çfarë kanë pretenduar shumë udhëheqës Perëndimorë, të mëparshëm e të tanishëm.