Shkruar nga një Shkrimtar i Stafit më 23 prill 2019.
Nga një Shkrimtar i Stafit
Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Iranin, Brian Hook, tha se SHBA e ka privuar tashmë regjimin iranian nga mbi 10 bilion dollarë të ardhura, dhe ky numër pritet të rritet në mënyrë dramatike pas përfundimit të lehtësimeve ndaj tetë konsumatorëve më të mëdhenj të naftës iraniane në fillim të muajit tjetër.
Ai tha: “I kemi mohuar këtij regjimi mbi 10 bilion të ardhura. Ky numër do të rritet në mënyrë dramatike tani që nuk do të japim më lehtësime lidhur me sanksionet e naftës… kur sheh sondazhet dhe intervistat me iranianët ku ata pyeten se kë fajësojnë për telashet e tyre ekonomike, dy të tretat fajësojnë Presidentin Rouhani dhe Udhëheqësin Suprem. Vetëm një e treta ia vënë fajin Shteteve të Bashkuara. Kjo do të thotë shumë, sepse regjimi iranian e gënjen gjithnjë popullin lidhur me telashet e tij ekonomike, dhe pavarësisht gënjeshtrave, populli e di ku qëndron faji. Ai e di kë duhet të fajësojë. Dhe kështu populli iranian e di se ne i qëndrojmë përkrah.”
Hook shpjegoi gjithashtu se shumë prej objektivave të sigurisë kombëtare të SHBA-së lidhur me Iranin përqafohen gjithashtu nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe kjo është arsyeja pse këto vende po punojnë për ta rritur prodhimin e naftës për ta stabilizuar tregun global në mënyrë që ai të jetë gati kur të skadojnë lehtësimet e sanksioneve mbi Iranin.
Ai tha: “Kemi patur takime shumë të mira si me sauditët, ashtu edhe me emiratasit, dhe ata i ndajnë me ne shumë prej objektivave të sigurisë kombëtare lidhur me Iranin. Kështu që është në interesin tonë dhe në interesin e tyre që regjimit iranian t’i mohohen të ardhurat që i duhen për të financuar politikën e tij të jashtme. Dhe tani Arabia Saudite na ka ndihmuar shumë, duke e rritur prodhimin e saj ashtu siç bëri edhe shumë muaj më parë në mënyrë që të kompensojë për humbjen e krudos iraniane, dhe do të vazhdojë të na ndihmojë.”
Hook vuri gjithashtu në dukje se sanksionet mbi Iranin janë projektuar për t’i dhënë fund financimit nga Irani të qelizës terroriste libaneze, Hezbollah, pasi 70% ($700 milion) e të ardhurave vjetore të Hezbollahut vijnë nga regjimi iranian.
Ai tha: “Në mars, lideri i Hezbollahut bëri një thirrje publike për donacione dhe kjo ishte hera e parë në histori që u detyrua ta bënte këtë. Ka patur një artikull në faqen e parë të New York Times që tregonte se si proksit e Iranit në rajon po përballen me një humbje të ardhurash [për shkak se] ‘Irani thjesht nuk i ka paratë që duhen për të na financuar ashtu si më parë’. Kjo është pjesërisht pasojë e keqmenaxhimit të ekonomisë nga Irani pasi kanë më pak para, janë në rënie ekonomike tashmë. Por është gjithashtu për shkak se sanksionet tona po e privojnë regjimin nga shumë të ardhura.”
Të hënën, SHBA tha se do t’i lejonte lehtësimet e sanksioneve mbi blerjen e naftës iraniane të skadonin më 2 maj. Këto lehtësime u bënë për tetë konsumatorët më të mëdhenj të Iranit – Indinë, Kinën, Korenë e Jugut, Japoninë, Taivanin, Greqinë, Italinë dhe Turqinë – në nëntor kur SHBA rivendosi sanksionet mbi naftën iraniane në vijim të tërheqjes nga pakti bërthamor i 2015-ës në maj 2018.
Kjo gjë ka sjellë disa reagime të ashpra nga Kina, por Hook vuri në dukje se Kina i ka reduktuar tashmë në mënyrë të konsiderueshme importet e naftës krudo të regjimit iranian dhe se është në interesin e saj të veprojë në përputhje me SHBA-në.
Ai tha: “Sepse nëse një vend vendos të zgjedhë tregun iranian përpara tregut amerikan, dhe pikërisht kjo është zgjedhja që po u paraqesim vendeve, ose mund të punosh me Shtetet e Bashkuara, ose mund të punosh me Iranin, por s’mund t’i bësh të dyja.”