Monday, September 9, 2024

Gazeta iraniane: Javad Zarif është ai lloj porcelani i kallajisur që ka më shumë mundësi të thyhet

 

Në editorialin e 28 shkurtit, gazeta shtetërore Siasat-e Rooz e përshkroi ministrin e jashtëm iranian Javad Zarif si një porcelan të kallajisur që ia vlen veç për përdorim të dorës së dytë.

“Të gjithë besojnë se dorëheqja e Zarif-it lidhur me postin e tij ishte e gabuar. Ne besojmë gjithashtu se ishte një llogaritje e gabuar në një situatë delikate,” shkruan Siasat-e Rooz.

“Duke patur parasysh dorëheqjen e tij, prania e Zarif-it në ministrinë e jashtme nuk bën ‘asnjë ndryshim.’ Zarif e theu veten, por ‘ndreqësi i porcelanit,’ edhe nëse ndreq një porcelan të thyer të një cilësie të mirë, a do ta ketë prapë funksionalitetin e mëparshëm?” vazhdon më tej gazeta.

“Ndërkohë që njerëzit po përjetojnë rritje të stërmëdha çmimesh dhe një lloj shpërthimi në çmimet e artikujve të jetesës për shkak të mungesës së masave menaxheriale, polemika të tilla si dorëheqja e Zarif-it, dhe fakti që nuk u ftua për të qenë i pranishëm në një mbledhje jozyrtare dhe jodiplomatike, mund t’i bëjnë njerëzit të pashpresë ndaj sistemit për sa i përket menaxhimit të situatës ekonomike dhe të jetesës,” përfundon editoriali.

Në të njëjtën ditë, gazeta Keyhan, e cila vepron si zëdhënëse gjysëm-zyrtare e Udhëheqësit Suprem të regjimit iranian Ali Khamenei, shkroi: “Lind pyetja se kush e paguan çmimin e mungesës së koordinimit të presidentit me ministra të ndryshëm (dhe jo vetëm me Zarif-in), Rouhani apo sistemi? Mediat anti-revolucionare e mirëpritën dorëheqjen e Zarif-it dhe ishin të lumtur për këtë gjë. Fatkeqësisht, lëvizja e nxituar dhe jokonvencionale e Zarif-it ka ndikuar në vizitën shumë të rëndësishme të ‘Bashar Assad-it’ në Teheran… Zarif u kthye, por kostot mbeten. Në fakt, lëvizja e nxituar dhe jokonvencionale e Zarif-it shkaktoi dëme.”

Javan, një gazetë tjetër shtetërore, shkroi gjithashtu më 28 shkurt: “Disa njerëz në vend dhe shumica e të huajve e kanë përshkruar këtë dorëheqje vërtet të shpëlarë si një shenjë të situatës së përkeqësuar të Republikës Islamike dhe i kanë kërkuar madje presidentit iranian që të japë dorëheqjen me guxim dhe madhështi duke pasuar ministrin!”

Nga ana tjetër, gazetat pranë grupit të Rouhani-t e pranojnë gjithashtu krizën e thellë që paraqet dorëheqja e Zarif-it.

Gazeta Arman shkruan: “Sasia dhe larmia e vendim-marrjeve jashtë qeverisë ka krijuar probleme për sistemin ekzekutiv me shumë pasoja negative. Edhe të huajt madje janë hutuar nga shumëllojshmëria e opinioneve dhe politikave dhe nuk kanë më besim në aparatin zyrtar të politikës së jashtme.”

“Qeveritë e huaja mund ta konsiderojnë dorëheqjen e z. Zarif si shenjë të dobësisë diplomatike në Iran, gjë që do t’i kushtojë vendit në lidhje me interesat kombëtare dhe me besimin politik ndërkombëtar,” shkruan më tej Arman.

Uebsiti Fararu publikoi një artikull të titulluar, “Zarif u pre midis dy shpatave apo dy teheve të gërshërës” dhe shkruan: “Kjo dorëheqje tregon se qeveria nuk ka ndonjë rol të madh në përcaktimin e politikës së jashtme.”

Duke cituar Mehdi Motaharnia-n, një ekspert nga grupi i Rouhani-t, uebsiti shkruan: “Është e qartë se pushteti dhe politikë-bërja nuk qëndron tek qeveria. Kjo gjë ka një kuptim shumë të mprehtë e të rëndësishëm dhe me dorëheqjen e Zarif-it, i ka dhënë fund rëndësisë së qeverisë brenda sistemit politik iranian në lidhje me sistemin ndërkombëtar. Në një kuptim ndërkombëtar, qeveria iraniane dhe ministria e jashtme nuk do të kenë asnjë funksionalitet me kuptim e ndikim.”