Çmimet e Ushqimeve në Iran Rriten me 230% Brenda Një Viti

484

Çmimi i ushqimit në Iran është rritur me 230% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të shkuar, sipas statistikave zyrtare të vendit për inflacionin.

Informacioni i Qendrës Statistikore të Iranit mbi inflacionin për muajin pers Bahman (21 janar – 19 shkurt), i paraqitur nga agjensia shtetërore e lajmeve ISNA, tregon se të gjitha çmimet e ushqimeve janë rritur në mënyrë të konsiderueshme krahasuar me të njëjtin muaj vitin e shkuar, madje karahasuar edhe me muajin e mëparshëm.

Salca e domateve, e cila është një element kryesor i kuzhinës iraniane, ka patur rritjen më të madhe gjatë vitit të shkuar, me një shifër masive prej 231.1%, por edhe ushqime të tjera kanë patur rritje dramatike në kosto, duke përfshirë mollat e verdha (128%), domatet (127.9%), bananet (103.1%), dhe mishin e qengjit (97.8%).

Qepët patën rritjen më të madhe të çmimit krahasuar me muajin që përfundoi më 20 janar, me 22.1%, ndërsa kostoja e kastravecëve u rrit me 21.3%, domatet u rritën me 20.1%, dhe mishi i qengjit u rrit me 15.6%.

Sipas raportit, çmimi mesatar i ushqimeve gjatë muajit Bahman ishte si më poshtë:

  • mishi i qengjit: 80,000 toman
  • mishi i lopës: 72,000 toman
  • mishi i shpendëve: 13,000 toman
  • bananet: 12,600
  • salca e domateve: 18,600 toman

Profesori Steve Hanke, një ekspert i ekonomisë së aplikuar në Universitetin John Hopkins, e ka llogaritur së fundmi inflacionin vjetor të Iranit në shifrën 212%.

Sigurisht, ushqimi nuk është gjëja e vetme që po pëson rritje të mëdha te çmimit në Iran.

Agjensia e lajmeve Tasnim, e cila është e lidhur me Trupat e Gardës Revolucionare (IRGC), shpalli këtë javë se tarifat e autobuzëve qytetas do të rriteshin me 20% nga 16 marsi, që i bie vetëm pak ditë para pushimeve të Nowruz (Viti i Ri pers), kohë kur shumica e iranianëve udhëtojnë për të vizituar familjarët.

Punëtorët iranianë janë ndër punëtorët që paguhen më pak në botë, duke marrë shpesh vetëm $100 në muaj dhe, sipas asistent kryetarit të Qendrës së Koordinimit për Këshillet Islamike të Punës në Azerbaixhanin Lindor, kjo pagë plotëson vetëm 28% të nevojave bazë (d.m.th. strehim, ushqim, veshje) të punëtorëve.

Kësaj i bashkohet edhe problemi se punëtorëve iranianë jo vetëm që u reduktohet në mënyrë të konsiderueshme fuqia blerëse, por në shumë raste u vonohen rrogat me muaj.

Habib Sadeghzadeh Tabrizi tha se mbi 14 milion punëtorë do ta nisin Vitin e Ri me rroga të vonuara. Ai sugjeroi se një rritje rrogash mund t’i përmirësonte kushtet e jetesës së punëtorëve, por nuk ka të ngjarë që Regjimi ta rrisë pagesën e punëtorëve në kushte reale.

Kjo ndodh pavarësisht faktit që Irani është një nga vendet më të pasura në botë për sa i përket resurseve natyrore.