Garda Revolucionare (IRGC) e Regjimit Iranian do të Etiketohet si Organizatë Terroriste nga SHBA

363

Shtetet e Bashkuara pritet t’i etiketojnë Trupat elitë të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) si një organizatë terroriste, thanë për Reuters tre zyrtarët amerikanë, duke shënuar kështu herën e parë që Uashingtoni etiketon zyrtarisht ushtrinë e një vendi tjetër si grup terrorist.

Shtetet e Bashkuara i shtuan Trupat iraniane të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në listën e sanksioneve kundër terroriszmit në tetor 2017, por në deklaratën e shpalljes së vendimit, Departamenti i Thesarit pati theksuar se kjo nuk donte të thoshte se SHBA e kishte etiketuar IRGC-në si organizatë të huaj terroriste.

Ndërkohë që Thesari mund të vërë sanksione mbi çdo organizatë, grup apo individ që konsiderohet i lidhur me terrorizmin, etiketimi i një grupi si organizatë e huaj terroriste është një hap më serioz.

Aktualisht, IRGC është sanksionuar nga Thesari për aktivitetet e saj të lidhura me terrorizmin.

Irani ka edhe ushtrinë e tij të zakonshme, e cila komandohet kryesisht nga zyrtarët e IRGC-së, por forca kryesore, e cila mbart pushtetin më të madh politik e ekonomik është Garda Revolucionare.

IRGC është gjithashtu forca kryesore që shtyp kundërshtarët dhe arreston disidentët. Si në vitin 2009, ashtu edhe në vitet 2017-2018, IRGC dhe organizata e lidhur me të luajtën një rol madhor në shtypjen e protestave masive dhe arrestimin e mijëra njerëzve.

Vendimi pritet të shpallet nga Departamenti amerikan i Shtetit, ndoshta që të hënën, sipas zyrtarëve.

Kjo lëvizje është përfolur për vite të tëra, por vendimi për të vepruar përbën një hap të mëtejshëm në politikën e shtimit të presionit mbi regjimin iranian nga administrata Trump.

Vlen të përmendet se kur, në janar 2019, Sekretari amerikan i Shtetit Michael Pompeo deklaroi në Kairo se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i mbronin më mullahët e Iranit, ai shtoi, “I jemi bashkuar popullit iranian në thirrjen për liri dhe mbajtje të përgjegjësisë.”

Presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, znj. Maryam Rajavi, e mirëpriti largimin e SHBA-së nga politikat, viktimat e para të të cilave kanë qenë populli iranian dhe Rezistenca Iraniane, dhe në emër të kësaj Rezistence, përsëriti nevojën për të ndërmarrë masa specifike kundër fashizmit fetar që sundon Iranin. Këto masa përfshijnë: “Etiketimin e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) në tërësi si entitete terroriste nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Europian.”