Thursday, March 28, 2024

Bujqësia e Iranit Shkatërrohet nga Përmbytjet

Nga Shahriar Kia

Përmbytjet e fundit në Iran kanë shkaktuar qindra miliona dollarë dëme për bujqësinë iraniane, sipas një zyrtari të enjten.

Kreu i menaxhimit të krizës në ministrinë e bujqësisë, Mohammad Mousavi, llogarit se humbjet e sektorit të bujqësisë janë 47 trilion rial (rreth $350 milion) deri tani.

Kjo erdhi si përgjigje ndaj një pyetjeje të kreut të parlamentit Ali Larijani, i cili pyeti nëse fondet e qeverisë do të mund të kompensonin komunitetet dhe fermerët.

Qeveria iraniane u kishte premtuar më përpara qytetarëve –sidomos fermerëve – se humbjet e tyre do të kompensoheshin, por Larijani tha se buxheti i Vitit të Ri nuk do t’i mbulonte dëmet dhe se qeveria duhet të kërkonte burime të tjera. Buxheti i vendit është goxha i tendosur për shkak të uljes së të ardhurave nga nafta si rezultat i sanksioneve amerikane.

Janë afërsisht 1,900 qytete e fshatra, në të paktën 26 prej 31 provincave të Iranit, që janë goditur nga përmbytjet duke filluar që nga 19 marsi. Banorët kanë raportuar mbi 200 vdekje, agjensitë e ndihmës përballen me shumë vështirësi, dhe qindra mijëra njerëz janë evakuar pa një strehim të përshtatshëm. Shumë rrugë janë bllokuar nga uji, shkarjet e tokës dhe shkëmbinjve, dhe trenat kanë gjithashtu vështirësi.

Ndërkohë, Presidenti Hassan Rouhani është akuzuar për keqmenaxhim të përgjigjes së emergjencës dhe disa ministra janë thirrur në parlament të dielën për të shpjeguar pse nuk janë marrë masa parandaluese për shpëtimin e jetëve.

Garda Revolucionare tha se “po përdor gjithë fuqinë e saj” për të minimizuar dëmet në provincën jug-perëndimore Khuzestan, e cila është e pasur me naftë, ndërsa kompanitë iraniane të shpimit dhe firma të tjera energjitike kanë përdorur gjithashtu pompat e tyre për të hequr ujin. Megjithatë, duhet të përmendet se këto institucione janë më të shqetësuara për të mbrojtur puset e naftës, shumë më tepër sesa për të mbrojtur popullin e Iranit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, kritikoi menaxhimin e krizës nga Teherani të martën, duke thënë se “përmbytjet tregojnë edhe një herë nivelin e keqmenaxhimit nga regjimi iranian në planifikimin urban dhe në gatishmërinë për emergjenca”.

Regjimi u përpoq t’ia kalonte fajin SHBA-së, duke i cilësuar sanksionet e saj si arsyeja pse Irani e ka kaq të vështirë ta përballojë situatën. Por kjo gjë nuk merr në konsideratë faktin se për vite të tëra para sanksioneve, Irani e reduktonte buxhetin e përcaktuar për fatkeqësitë natyrore, duke e ndarë pjesën më të madhe për forcat represive.

Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Shoqërive të Gjysmëhënës së Kuqe ka nxjerrë rreth 500,000 franga zvicerane ($500,000) si grante për 3,000 familje iraniane që kanë humbur shtëpitë dhe mjetet e jetesës nga përmbytjet, por siç mund ta imagjinoni, kjo nuk mbulon shumë prej nevojave të popullit.